Nxënësit shqiptarë në Maqedoni, pa abetare
Pak para nisjes së kremtimit të punimeve të Kongresit të Manastirit, Shoqata Humanitare e Kulturore Programi Unik Shqiptar, në Maqedoni, i ka apeluar përmes një shkrese Programit Unik Shqiptar, në SHBA, që të ndihmojë në blerjen e rreth 9,000 abetareve për nxënësit shqiptarë në Maqedoni, meqë ka disa vite që Abetarja atje “është hequr pa të drejtë”. Kërkesa është adresuar me qëllim që edhe nxënësit e shkollave fillore në Maqedoni të mësojnë nga Abetarja e njësuar, njësoj siç mësojnë nxënësit shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Luginë të Preshevës dhe diasporë.
“Vetëm vogëlushët shqiptarë në Maqedoni janë përjashtuar nga mësimi me librin e dashur të Abetares, kjo jo për faj të ndarjes territoriale, por për faj të politikanëve të dobët shqiptarë. Këta politikanë harrojnë se në Maqedoni u vendos Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës shqipe me shkronja latine, prandaj është ofendim i rëndë që vetëm vogëlushëve shqiptarë në Maqedoni t’iu mohohet mësimi nga Abetarja mbarëkombëtare”, thuhet, mes tjerash, në kërkesën e shoqatës nga Maqedonia.