E Diel, 1 Nëntor 2026

OBSH: Asnjë shtet nuk i shpëton virusit H1N1

Pandemisë së gripit të derrave duket se tashmë nuk mund t'i shpëtojë asnjë vend, pasi sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi është përhapur edhe në pjesën më të largëta të planetit. Në një komunikatë të shkurtër publikuar OBSH-ja deklaroi se më shumë se 20 vende dhe territore të reja kanë konfirmuar rastet e tyre të para të virusit të ri, i njohur gjerësisht si virusi i gripit të derrave.
Në listën e këtyre vendeve përfshihen destinacione të njohura turistike si ishujt Sejshell, Turks dhe Caicos, St. Kitts dhe Nevis, Antillet, Belize dhe ishulli francez Reunion, si dhe vende të izoluara si Tonga dhe Samoa Amerikane në Paqësor dhe ishujt Solomon në Oqeanin Indian.
Gripi H1N1, që është një përzierje e gripit të njeriut, shpendëve dhe derrit, ka gjetur rrugën edhe drejt Butanit në Himalajë, dhe Andorrës, një shtet i pavarur ndërmjet Spanjës dhe Francës. Gjithashtu Afganistani dhe Sudani kanë konfirmuar rastet e para gjatë ditëve të fundit..
Ndërkohë që pjesa më e madhe e pacientëve kanë shfaqur vetëm simptoma të lehta, si temperaturë të lartë dhe të vjella, gratë shtatzëna dhe personat me diabet ose sëmundje të tjera janë më të rrezikuar për jetën. Sipas raportit të fundit të OBSH-së, virusi ka shkaktuar deri tani 816 viktima në të gjithë botën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›