E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: Media, motor nxitës për vetëvrasjet



“Raportimi i kujdesshëm i historive të vetëvrasjeve”

ISHP: Gazetarët të shmangin detajet, të jenë më të ndjeshëm

Raportime sensacionale, deri në formën e një “skupi” mediatik, përshkrime të detajeve më të imta, madje edhe gjenden shpirtërore të të afërmve të të ndjerit shtojnë rastet e vetëvrasjeve, sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Punonjësit e medias shqiptare dhe asaj mbarëbotërore kështu e raportojnë lajmin mbi vetëvrasjet. Specialistë të shëndetit mendor cilësojnë se parandalimi i vetëvrasjeve është një çështje madhore e shëndetit publik, pasi studime të kryera cilësojnë se në vende të ndryshme të botës kanë vërtetuar se vetëvrasja është një dukuri që imitohet. Sipas tyre, mënyra se si gazetarët e raportojnë vetëvrasjen mund të jetë motor frenues dhe nxitës i kësaj dukurie.

Vetëvrasja është një dukuri që ka sjellë shqetësime mbarëbotërore. Së fundmi, edhe në vendin tonë ka shënuar një numër të konsiderueshëm rastesh. Për shumë studiues vendas kjo dukuri është parë nën syrin e një “epidemie ngjitëse”, së cilës i duhet gjetur patjetër një zgjidhje.

Për këtë, me moton “Raportimi i përgjegjshëm i vetëvrasjeve, shpëton jetë”, specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe të Ministrisë së Rendit kanë organizuar dje në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve dhe të muajit të shëndetit mendor një takim.

Duke trajtuar këtë temë, specialistët kanë theksuar se gjatë raportimit të vetëvrasjeve gazetarët duhet të shmangin përshkrimet e detajeve teknike rreth metodës së vetëvrasjes, të mos e paraqesin si ngjarje sensacionale, të mos e paraqesin vetëvrasjen si një mënyrë e përshtatshme ose e pranueshme e zgjidhjes së problemeve personale, si dhe përqendrimin e karakteristikave pozitive të personit të vdekur.

Të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se raportimi i kujdesshëm i historive të vetëvrasjeve mund të shpëtojë jetë, ndërsa raportimi me qëllim sensacionin mund të rezultojë në imitimin e kësaj sjelljeje.

Sipas tyre, imitimi i vetëvrasjeve varet shumë nga mënyra e raportimit, toni dhe gjuha e përdorur, theksimi, paraqitja me grafikë dhe me pamje të tjera.

“Çështja qëndron në vulgarizimin ekstrem të raportimit, gjë që mund të krijojë një kulturë vetëvrasjeje, ku vetëvrasja shihet si një mënyrë e pranueshme për t’u larguar nga vuajtjet e botës”, - shprehen specialistët e ISHP-së.

Guidë

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar një guidë me kriteret që duhen pasur në konsideratë kur raportohet mbi vetëvrasjet. Statistikat duhet të interpretohen në mënyrë të kujdesshme dhe korrekte. Duhet të përdoren burime të besueshme dhe autentike. Komentet e improvizuara duhet të bëhen me shumë kujdes, pavarësisht nga presioni i kohës. Përgjithësimet që janë të bazuara në të dhëna të pamjaftueshme, duhet të bëhen me një kujdes të veçantë dhe duhet të shmangen shprehjet si: “epidemi vetëvrasjesh” dhe “vend me shkallë më lartë të vetëvrasjeve në botë”. Raportimi i një sjelljeje vetëvrasëse si një përgjigje e kuptueshme ndaj ndryshimeve kulturore dhe sociale, duhet të shmanget. Për këtë, OBSH-ja beson se media mund të luajë një rol aktiv për të parandaluar vetëvrasjet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›