E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parku “Ali Demi”, zonë të veçantë për paraplegjikët



Ka nisur rikualifikimi urban i parkut në fushën “Ali Demi”, projekt i cili, sipas Bashkisë së Tiranës, do të përfundojë në fund të muajit janar 2009. Kryetari i bashkisë, Edi Rama, gjatë përurimit për fillimin e punimeve ka shpjeguar se ky park është konceptuar në dy zona kryesore, zona në lindje të këtij aksi, një zonë e qetë me karakter parku dhe zona në perëndim, e zhurmshme e kryesisht me karakter sportiv. Për herë të parë edhe kategoria e paraplegjikëve do të ketë një zonë të tyren. Në hyrje të parkut fillon aksi kryesor i lëvizjes e paralel me të edhe hyrja për në zonën sportive, ku është konceptuar një plan i pjerrët për paraplegjikët. Zona e qetë është konceptuar si një hapësirë e përshtatshme për moshat e treta dhe fëmijët. Pjesa më e madhe e sipërfaqes do të jetë e mbjellë me bar dhe pemë të llojeve të ndryshme të cilat do të krijojnë hije të mjaftueshme. Po ashtu, çezmat me ujë të pijshëm dhe stolat janë menduar si elementë të domosdoshëm për zonën e qetë gjatë periudhave të nxehta të vitit. Zona sportive është konceptuar një pistë patinazhi me pedana, e përshtatshme për "skate board" për fëmijët dhe të rinjtë e moshave të ndryshme. Pas shkallëve, hapet një shesh i vogël ku stolat dhe çezmat me ujë të pijshëm, të konfiguruara sërish, do t’u shërbejnë patinatorëve apo kalimtarëve të rastit.

Përgjatë aksit kryesor të lëvizjes është pozicionuar zona e fëmijëve, e cila është trajtuar si një gropë rëre me lodra të ndryshme si lisharëse, rrëshqitëse etj. Zona e shërbimit ndodhet në pjesën fundore të parkut (juglindje). Është një strukturë e vetme e cila kryen disa funksione (banja publike për vizitorët, si edhe mjedise të tjera të nevojshme për punëtorët e mirëmbajtjes së parkut).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›