E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: Në shtator aprovohen vaksinat kundër virusit A/H1N1

 

GJENEVË- Prodhimi i një vaksine kundër virusit të gripit të derrave A/H1N1 është brenda afateve të parashikuara dhe aprovimi nga autoritete përgjegjëse mund të bëhet në shtator, deklaroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Marie-Paule Kieny, drejtoresha e Iniciativës për Kërkimet mbi vaksinën në OBSH, deklaroi se kompanitë farmaceutike fillimisht kishin njoftuar për sasi të pakta prodhimi të vaksinës, por situata po përmirësohej kohët e fundit.
"Jemi në rrugë të mbarë për prodhimin e vaksinës", deklaroi Kieny për gazetarët.
Rezultatet e para nga provat klinike pritet të jenë gati në ditët e para të muajit të ardhshëm dhe këto teste do të tregojnë nëse do të duhen një apo dy doza për të siguruar imunitet ndaj sëmundjes, shtoi ajo.
Epidemia aktuale e shpallur pandemi më 11 qershor, është pandemia e parë me përhapje më të shpejtë që mund të prekë 2 miliardë persona në botë, duke theksuar fuqimisht nevojën për hedhjen në treg të vaksinës sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndër kompanitë kryesore për prodhimin e vaksinën përfshihen "Sanofi-Aventis", "GlaxoSmithKline", "Novartis", "Baxter" dhe "CSL dhe Solvay". (e.n/ata/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›