E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH, shpreh mbështetje për rritjen e cilësisë së shëndetit të shqiptarëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë do të vazhdojë të japë kontributin e saj të rëndësishëm, nëpërmjet projekteve të ndryshme, për të arritur rezultatet e duhura në rritjen e cilësisë së jetës dhe shëndetit të shtetasve shqiptarë. Garancinë për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje e ka dhënë Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çan në takimin që pati me presidentin Bamir Topi. Gjatë këtij takimi, presidenti Topi garantoi se Institucioni i Presidentit ka inkurajuar dhe do të inkurajojë një sistem të kujdesit shëndetësor sa më të mirë për qytetarët shqiptarë si dhe rritjen e përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës. Ai vlerësoi rolin e OBSH në hartimin e mjaft dokumenteve kryesore të politikave shëndetësore në Shqipëri, si ai i strategjisë së shërbimit shëndetësor, i sigurisë së gjakut, shëndetit mendor të popullatës e deri në atë të luftës së vazhdueshme kundër duhanit. Pasi theksoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të OBSH-së për rritjen e nivelit të shëndetit në mbarë botën, z. Topi u ndal dhe në impenjimin serioz e rigoroz të misionit të kësaj organizate për përmirësimin e shëndetit publik, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin e Ballkanit. Zyra e shtypit pranë Presidencës bëri të ditur se në këtë takim ishin të pranishëm dhe 6 drejtorë rajonalë të kësaj organizate prestigjioze, të cilën ndodhen në Tiranë në kuadër të mbledhjes së tyre vjetore, që këtë herë zhvillohet në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›