Parlamentarët e Bosnjës: Shqipëria drejt integrimit në NATO, shembull për ne
Kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës kanë vlerësuar rolin e Shqipërsë në rrugën drejt integrimit në NATO, ku sipas tyre vendi ynë përbën një shembull për ta. Kryeministri Berisha theksoi si shumë pozitive marrëdhënie politike mes dy vendeve në dy vitet e fundit, që sipas tij janë më të mirat e 18 viteve të fundit.
"Jam i bindur se marrëdhëniet midis institucioneve kanë qenë një faktor i rëndësishëm për këtë, tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se marrëveshjet e nënshkruara do ti bëjnë dy vendet më të sigurta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe do të jenë shtysë për marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Gjithashtu, kryeministri i konsideroi si shumë të rëndësishme marrëdhëniet ndërparlamentare duke veçuar faktin se Shqipëria sipas tij është një vend që po ndërton një infrastrukturë të re, me potencial turistik shumë të madh dhe ky është potenciali ku mund të investojnë sipërmarrësit e Bosnje-Hercegovinës. Kryetari i Parlamentit, Beriz Belkiç, nënkryetari, Niko Lozançiç dhe Kryetari i Dhomës së Popullit, Ilia Filipoviç vlerësuan rezultatet e shkëlqyera që ka arritur Shqipëria, rezultate të cilat, ata i kishin konstatuar gjatë vizitës së tyre në Tiranë, vitin e kaluar. Në kuadër të vizitës zyrtare në Bosnje- Hercegovinë, Kryeministri Sali Berisha u takua me Kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, të cilët vlerësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e prillit të këtij viti. Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera, kemi bërë një punë ndërinstitucionale që ka dhënë fryte dhe kooperimi parlamentar ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë pozitiv, u shprehën kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës.