E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR mbledh kontestimet e para për votimet

29/01/2005  PD: Socialistët po emërojnë efektivë policie të dyshimtë në prag të zgjedhjeve parlamentare

PS kundërshton shtimin e një deputeti në Qarkun e Shkodrës dhe propozon kalimin në Dibër

Shefi i çështjeve zgjedhore në ODHIR, Nikolaj Vulchanov, ka zhvilluar takime me përfaqësues të forcave politike në Shqipëri, ku ka marrë informacione para nisjes së fushatës elektorale. Marrëveshja për heqjen e një deputeti nga zona e Vlorës dhe një nga Berati dhe kalimi një në Tiranë dhe një në Shkodër, ose në Dibër, ka qenë pika kyçe e raportimit të përfaqësuesve të politikës shqiptare. Ndërsa një tjetër pikë e rëndësishme ishte angazhimi i disa efektivave të dyshimtë të policisë, në zona delikate zgjedhore. Për këtë të fundit, përfaqësuesit e PD-së kanë kërkuar reagim të menjëhershëm. Gjatë paraditës së djeshme, Vulchanov ka takuar dy përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Ylli Bufi dhe Elmaz Sherifi, dhe më pas Jemin Gjanën dhe Ilirian Rusmalin. Nuk ka vonuar shumë dhe në zyrat e institucionit ndërkombëtar janë thirrur deputetët e LSI-së, Spartak Braho dhe Sabit Brokaj, për të përfunduar turin e takimeve me kryetarin e Grupit parlamentar të LZHK-së, Maksim Begeja.

Debati

Mosmarrëveshjet mes PS-së dhe PD-së për draftin e ndarjes elektorale ka sjellë që çështja të ngelet në derën e ndërkombëtarëve. Debati për ndryshimin e një zone elektorale duket se do të marë zgjidhje nga varianti që do të paraqesë grupi i ekspertëve pranë OSBE-së. Demokratët kanë kërkuar në takim që rrethit të Shkodrës t'i shtohet një zonë elektorale, pasi numri i votuesve në këtë zonë është mjaft i madh. Negociuesi demokrat Jemin Gjana thekson se "zgjidhja që do të vinte nga përdorimi i asaj mesatare të vendosur në ligj do të sillte një lëvizje prej tri zonash. PD ka pranuar propozimin e PS-së për të lëvizur vetëm dy zona, për t'i sjellë ato në Qarkun e Tiranës dhe të Shkodrës". Demokratët kanë paraqitur para Vulchanovit dhe një sërë ankesash në lidhje me reformën zgjedhore. Problemi i listave zgjedhore ku ecuria e tyre nuk është në shkallën e duhur. Sipas Gjanës, "shefit të ODHIR-it i është bërë e njohur deklarata e kryetarit të KQZ-së për pamundësinë e zbatimit të Kodit Elektoral", deklaratë e cila shkakton rreziqe në proces dhe mungesën e reagimit nga të gjithë aktorët e tjerë politikë". Por, për socialistët, situata komplikohet nga demokratët. Ndarja e zonave për PS-në është cilësuar si një problem teknik që duhet t'i lihet në dorë grupit të ekspertëve. Negociatori socialist Elmaz Sherifi tha se "ekspertët e Këshillit të Evropës kanë dhënë një raport me shkrim dhe kanë përcaktuar se do t'i hiqet një zonë Qarkut të Vlorës dhe një zonë Qarkut të Beratit dhe këto duhet të venë një në qarkun e Tiranës dhe një tjetër në Qarkun e Dibrës. Le të zbatojmë raportet e ekspertëtve". Duke i cilësuar si kërkesa subjektive propozimet e bëra nga PD-ja, Sherifi argumenton kërkesën e PS-së, që për të mbështetet mbi baza ligjore dhe rrjedhin nga ndryshimet që i janë bërë Kodit Zgjedhor.

Afati

Afati për të përfunduar drafti për ndarjen e re elektorale të vendit duhet të gjejë miratimin e parlamentit në mes të muajit shkurt. Miratimi i këtij drafti do të sjellë përfundimin e reformës zgjedhore, e cila u iniciua në verën e vitit 2004. Prezenca e OSBE-së ka vlerësuar se miratimi i kësaj ndarjeje në muajin shkurt nuk përbën asnjë shkelje kushtetuese, pasi është brenda afateve të përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë mbi ndarjen elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›