E Shtunë, 31 Tetor 2026

OEK fushate per imazhin e Kosoves

Bizneset e Kosovës përmes Odës Ekonomike kanë ndërmarrë një iniciativë për përmirësimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit, i dëmtuar së fundi nga disa raporte ndërkombëtare dhe krizat e brendshme politike. Përfaqësuesit e Odës kërkojnë mbështetje në promovimin e vlerave të Kosovës dhe inkurajimin e investitorëve të huaj që të vijnë në Kosovë, përmes një seri takimesh me ambasadorët e vendeve mike të akredituar në Prishtinë. Këto kanë qenë edhe në qendër të takimit me ambasadorin francez Jean Fraçois Fitou.

“Ky është shtet i rritur, është një shtet i cili duhet të ketë besim në vetvete. Gjithashtu dihet se e ka mbështetjen e miqve të saj dhe partnerëve të saj. Por, Kosova duhet që t’i marrë gjërat në dorë sidomos kur flasim për ekonomi. Partneriteti me shtetin tim është i dukshëm, ne gjithashtu do t’i ftojmë investitorët të gjejnë punë e cila do t’u ndihmonte të rinjve që të gjejnë pune ne Kosovë, ..., por më kryesorja është qe ju kosovaret të merrni të ardhmen tuaj ne duart tuaja”, tha Jean Fraçois Fitou, Ambasador i Francës në Kosovë.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu vuri theksin në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. “Ne si OEK mendojmë se kurrë nuk duhet harruar se fuqia e një vendi nuk matet me numrin e partive politike dhe politikanëve por me prodhimin kombëtar, eksportin, ruajtjen e ambientit, avancimin e përdorimit të alternativave energjetike dhe teknologjive të reja, zhvillimin e informatikës”, u shpreh Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Gërxhaliu tha se me ambasadorin francez ka biseduar për përkrahjen franceze në kuadër të CEFTA-së,  që Franca të përdorë autoritetin e saj produktet kosovare të depërtojnë edhe në tregun evropian dhe të mos kenë pengesa si deri më tani posaçërisht nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›