OKB dënon mizoritë në Siri: Krime kundër njerëzimit
SHBA- Vrasjet e javës së kaluar të më shumë se 100 civilëve në Houla në Siri mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit. Kështu është shprehur sot komisioneria e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay.
Pillay i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë fund mosndëshkimit dhe për të siguruar përgjegjshmërinë për autorët e krimeve të tilla. Zonja Pillay iu drejtua një sesioni urgjent të Këshillit për të Drejta e Njeriut në OKB.
‘Këto akte mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera ndërkombëtare dhe mund të jenë tregues i një modeli të sulmeve masive ose sistematike kundër popullsisë civile që janë kryer pa u ndëshkuar’- tha Pillay në fjalimin që mbajti në Këshill.
Më parë aktivistët e opozitës thanë se ishte shënuar një tjetër vrasje masive e civilëve nga milicia pro qeveritare. 13 punëtorë të një fabrike ishin zbritur forcërisht nga autobuzi dhe ishin ekzekutuar në afërsi të qytetit perëndimor Qusair.
Të dhënat e aktivistëve nuk mund të quhen të pavarura por dy herë gjatë javës së kaluar vëzhguesit e OKB-së në terren kanë vërtetuar pretendime të ngjashme. Të premtën Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB filloi takimin emergjent për dhunën në Siri, hera e katërt që mblidhet urgjent që kurse ka nisur kryengritja kundër Bashar al-Assad në Mars të vitit të shkuar në Siri.
Një hetim qeveritar fajëson grupet e armatosura që kërkojnë të shkaktojnë ndërhyrje ushatarake të huaj në Siri. I dërguari i OKB-së dhe i Ligës Arabe, Kofi Annan tha se ishte frustruar nga dhuna e vazhdueshme pavarësisht se palët kishin pranuar planin e tij gjashtë pikësh për paqe, i cili duhej të merrte jetë më 12 Prill. OKB thotë se prej Marsit 2011, kur nisen protestat pro demokracisë në Siri, mbi 10.000 persona kanë humbur jetën mes tyre shumica gra dhe fëmijë.
Dorina Bilbili/IDEA/