E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB, rezoluta serbe hidhet në votim më 9 shtator

Sipas të përditshmes serbe “Novosti”, e cila i referohet burimeve diplomatike në Nju Jork, po më 9 shtator do të diskutohen edhe pika të tjera që nuk kanë të bëjnë me çështjen kosovare. Gazeta shton se përveç kundërshtarëve të njohur të rezolutës serbe, nuk janë të pakët edhe ata në Serbi që mendojnë se 9 shtatori do të shënojë një tjetër humbje për Beogradin.

“Prishtina dhe Beogradi duhet që problemet e pazgjidhura t’i zgjidhin me dialog, para së gjithash statusin e Kosovës. Sipas të drejtës ndërkombëtare, shkëputja e njëanshme nuk është e pranueshme”, thuhet në rezolutën serbe rreth Kosovës, kundër së cilës ende pa u votuar janë shprehur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Prishtina zyrtare pret që në koordinim me shtetet që e kanë njohur Kosovën, të arrijnë të bindë shumicën e vendeve anëtare të OKB-së që të votojnë kundër rezolutës serbe dhe kështu të konfirmojnë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e shteteve kryesore në OKB i kanë bërë thirrje Beogradit të heqë dorë nga diskutimi i çështjes së statusit, pasi sipas tyre, tashmë kjo përbën një kapitull të mbyllur. Ata këmbëngulin në kërkesën që Serbia të përqëndrohet në fillimin e dialogut me Kosovën, për të cilin Prishtina zyrtare është shprehur e gatshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›