OKB,vë alarmin për krizën globale të ujit

Kombet e bashkuara kanë bërë një paralajmërim për marrjen e masave urgjente për të shmangur një krizë globale të ujit. Deri në vitin 2030, pothuajse gjysma e popullisë së botës do të jetojë në zona ku do të ketë mangësi akute në furnizimin me ujë. Këto janë dy nga përfundimet në të cilat arrin një raport i OKB-së që u bë publik gjatë punimeve të Forumit Botëror të Ujit në Stamboll. Forumi, i cili zhvillon punimet një herë në tre vjet, ka mbledhur në këtë qytet që nga e hëna për një javë aktivistë, shkencëtarë dhe përfaqësues qeverish. Autorët e raportit bëjnë thirrje për investime dhe për përmirësimin e menaxhimit të krizës, shkaktarë të së cilës janë kryesisht ndryshimet klimatike dhe shtimi me ritme të shpejta i popullisë.