E Diel, 1 Nëntor 2026

Të burgosurit që do ta vuajnë dënimin në shtëpi



Në projektligjin e propozuar nga Këshilli i Ministrave synohet ndryshimi i nenit 59/a i Kodit Penal, që ka të bëjë me rastet kur të dënuarit do ta vuajnë dënimin e tyre me qëndrim në shtëpi.
Për dënimet me burgim deri në 2 vjet ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur e dënimit, sipas një vendimi për një periudhë më të gjatë burgimi, gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrimin në shtëpi të të dënuarit, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik, kur ekzistojnë rrethanat e mëposhtme: Për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë nën moshën 10 vjeç, që jetojnë me të. Rasti i dytë është për baballarët që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijën që jeton me të, nën moshën 10 vjeç, kur nëna e tij ka vdekur apo është e pazonja për t’u kujdesur për të. Rasti i tretë është për persona në kushte të rënda shëndetësore, që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor, jashtë burgut.
Rasti i katërt është për personat mbi 60 vjeç që janë të paaftë nga ana shëndetësore. Rasti i pestë është për të rinjtë nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore studimore, të punës apo përgjegjësive familjare. Gjykata mund të lejojë personat e dënuar me qëndrim në shtëpi të largohen nga vendbanimi, për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare, për t’u angazhuar në veprimtari pune, edukimi apo arsimimi ose për programe rehabilitimi, për të cilat shërbimi i provës është dakord. Gjykata revokon qëndrimin në shtëpi dhe e zëvendëson atë me një ndëshkim tjetër, kur nuk ekzistojnë më kushtet e parashikuara në paragrafin e parë. Në qoftë se personi i dënuar largohet pa autorizimin e gjykatës nga vendbanimi apo shkel detyrimet e caktuara në vendimin e gjykatës, do të sanksionohen masat që parashikohen në nenin 62.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›