E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPEC ul prodhimin e naftës me 2.2 milionë fuçi në ditë

Ministrat e naftës
së OPEC kanë rënë
dakord dje që ta ulin
prodhimin naftës
me 2.2 milionë fuçi në ditë në
përpjekje për të balancuar situatën
në një moment rënie të
kërkesës për këtë lëndë djegëse.
Të 12 anëtarët e Organizatës së
Vendeve Eksportuese të Naftës
kanë tentuar, gjithashtu që të
krijojnë një dysheme për çmimet
që kanë rënë në 100 dollarë
për fuçi që nga muaji gusht kur
arritën pikun prej 147 dollarë
për fuçi. Reduktimi i sasisë së
prodhimit të naftës është në
vijim të disa reduktimeve të
tjera të arritura në dy mbledhjet
e fundit të organizatës. Me këtë
ulje, këto vende në tërësi do
të prodhojnë 24. 845 milionë
fuçi në ditë. Tregu i naftës nuk
ka shfaqur ndonjë reagim të
rëndësishëm ndaj vendimit të
arritur pas 4 orësh bisedimesh.
Arabia Saudite, vendi më i madh
eksportues i naftës në botë ndodhet
në krye të reduktimit të prodhimit,
madje ajo e kishte nisur
një masë të tillë prej kohësh.
Sipas ministrave, qëllimi i uljes
së sasisë së prodhimit është stabilizimi
i tregjeve dhe shmangia
e lëvizjeve drastike të çmimeve
brenda një kohe të shkurtër. Kjo
masë mund të çojë në një ngritje
të çmimeve, por edhe mund t‘i
lërë ato në situatën aktuale. Po
sipas ministrave, sasia e reduktuar
është ajo e duhura për të
vendosur rregull në tregje. Ky
reduktim, i treti për këtë vit, e
çon uljen e përgjithshme të prodhimit
ditor të naftës nga vendet
e OPEC në 4.2 milionë fuçi më
pak. Kjo organizatë ka inkurajuar
edhe vendet e tjera prodhuese
të naftës që të marrin një masë
të tillë. Nga Moska kanë ardhur
reagimet e para. Kremlini ka
vendosur që të mos bëhet pjesë
e kësaj strategjie. Nafta nën 50
dollarë fuçia nuk është më me
shumë përfitim për vendet prodhuese
të saj, por sidomos për
OPEC, Venezuelën dhe Iranin,
të cilat jetojnë me naftë dhe të
ardhurat prej saj shërbejnë për
financimin e shumë projekteve
e programeve brenda vendit.
Pritet që ky reduktim drastik
i prodhimit ta çojë çmimin e
fuçisë të paktën në 75 dollarë.
"Duhet të kuptojmë se dëshira
jonë për të rritur çmimin e naftës
nga 50 në 75 dollarë për fuçi
ka në bazë të saj arsye fisnike
dhe nuk e kërkojmë një gjë të
tillë, sepse jemi të pangopur",
ka bërë të ditur ministri saudit
i naftës. Sipas analistëve, një
rritje e çmimit të naftës do të
ishte një vështirësi më shumë
në ekonominë globale që është
në recesion, por ndoshta mund
të ndihmonte botën që të dilte
nga situata prag deflacioniste
në të cilën është zhytur. Por për
të pasur një ndikim afatgjatë
mbi çmimet, vendimet e OPEC
duhet të mbikëqyren në mënyrë
të vazhdueshme dhe shumë
strikte. Sipas vëzhguesve të pavarur,
grupi në nëntor nuk kishte
qenë plotësisht dakord me një
reduktim të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›