E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE Listat zgjedhore per 8 Majin me te mirat kane me pak dublikime

“Zgjedhjet publike, përbëjnë kohën kur qytetarët e thjeshtë kanë mundësinë të zgjedhin, duke qenë të informuar, midis platformave të partive të ndryshme politike dhe midis kandidatëve të ndryshëm se kush duhet të drejtojë zonën e tyre.

Dallimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore qëndron në vetë faktin se ato janë ‘vendore’.

Në këto zgjedhje, votuesit zgjedhin atë që dëshirojnë të drejtojë ofrimin e shërbimeve publike vendore.

Ka të bëjë me menaxhimin dhe aftësitë menaxheriale.

Ka lidhje me jetën praktike dhe jo me ëndrra te mjegullta”.

Kështu u shpreh sot ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, sot gjatë një fjalimi në universitetin e Vlorës.

Sipas tij, nuk është mirë kur zgjedhje të tilla, shndërrohen në një lloj konkursi bukurie politik midis drejtuesit A të një partie politike dhe drejtuesit B të një partie tjetër.

“Kur ndodh një gjë e tillë, thelbi i vërtetë, rëndësia dhe vlera strategjike e kuptimit të vërtetë të vetëqeverisjes vendore, fatkeqësisht, zvogëlohet. Bëhet fjalë për jetën reale dhe administrimin e saj.

Zgjedhjet vendore duhet të jenë koha kur anëtarë të komunitetit që kandidojnë të kenë mundësinë të tregojnë se si do ta përmirësonin ata zonën e tyre.

Ata nuk duhet të bien pre’ e interesave politike të drejtuesve të partive ku aderojnë.

Në kontekstin aktual shqiptar, edhe pse i vështirë për disa, ka vend për optimizëm”, tha mes të tjerash ai.

Duke përfunduar se zgjedhjet e ardhshme vendore bazohen tashmë në lista më të mira zgjedhësish, pas krijimit nga Ministria e Brendshme të një regjistri të ri të gjendjes civile dhe një sistemi të adresave në zbatim të një projekti prej miliona eurosh të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

“Një nga rezultatet e drejtpërdrejta të projektit është numri shumë më i vogël i dublikimeve të emrave të njerëzve mbi 100 vjeç në listat e zgjedhësve që siç e dimë, ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

Ky duhet të shërbejë si element pozitiv për zgjedhjet e tanishme dhe t’i bëjë qytetarët shqiptarë të besojnë vërtet se vota e tyre ka rëndësi”, përfundoi ai.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›