E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Maxhoranca dhe opozita të nisin dialogun

Nevoja për dialog mes mazhorancës dhe opozitës shqiptare shtrohet edhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian. Është kryetari i Radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm i Lituanisë Audronius Ažubalis, ai që i ka bërë thirrje dje qeverisë shqiptare dhe opozitës që të rinisin dialogun politik dhe të ecin përpara me reformat. “Polemika e vazhduar rreth procesit të ankimit, pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit, ka theksuar nevojën për reforma të mëtejshme zgjedhore, por ajo ka treguar mbi të gjitha nevojën urgjente që dy partitë më të mëdha politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme. U bëj thirrje qeverisë dhe partive opozitare, që ta kapërcejnë polarizimin dhe mosbesimin e thellë e t'i japin fund ngërçit politik në vend,” – shprehet ai në deklaratën e vet, drejtuar klasës politike shqiptare. Ai gjithashtu, duke vlerësuar nevojën e dialogut, thekson se është e rëndësishme që të mos humbasë asnjë moment për të rivendosur dialogun dhe për të ecur përpara me reformat. “Ne jemi në pritje të vlerësimit përfundimtar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila mund të mbështesë këtë proces, por nuk mund të ketë asnjë vonesë në vendosjen e dialogut politik. Ky hap i parë është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, dhe më në mënyrë të veçantë Parlamentit”, - u shpreh më tej Audronius Ažubalis. Nga ana tjetër, ai ka shprehur gatishmërinë e organizatës që drejton, për të mbështetur këtë dialog dhe këto reforma. “OSBE-ja, përfshirë edhe Prezencën e saj në Shqipëri, dhe ODIHR-i mbeten të gatshme që të mbështesin qeverinë dhe partitë politike që të bien dakord, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në mënyrë transparente, për një axhendë më të gjerë të reformave, përfshirë edhe reformat zgjedhore”, - deklaroi drejtuesi i radhës i OSBE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›