E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, Berisha akuza Topit dhe Spahiut

“Të pafe, të mjerë, pa identitet, çakej, përdhosës të Kushtetutës...”. Këto ishin disa nga akuzat që dje, në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha i adresoi indirekt Kreshnik Spahiut dhe Bamir Topit

TIRANË Duke i paraprirë vendimit të diskutueshëm, që u mor dje në Këshillin e Ministrave, për ngritjen, përbërjen dhe detyrat e komisioneve të censusit të popullsisë, kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Aleancës “Kuq e Zi”, duke shigjetuar indirekt, drejtuesin e kësaj lëvizje, Kreshnik Spahiu dhe kryetarin e shtetit, Bamir Topi. “Ata të cilët përpiqen të derdhin lot për kërcënimin e identitetit të shqiptarëve, ata kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet, kanë një deficencë kongenitale të identitetit. Ata janë individë të shkëputur, që nuk kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare. Ky komb nuk ka vuajtur, nuk vuan dhe nuk do të vuajë kurrë për identitetin e tij”. Ky ishte vetëm një nga deklaratat e hedhura dje nga kreu i ekzekutivit në mbledhjen e qeverisë, i cili nuk është kursyer në qëndrimin e tij ndaj lëvizjes “Kuq e Zi”, që në thelb është kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe feje. Duke sqaruar se qytetarët nuk do të jenë të detyruar të tregojnë përkatësinë e tyre fetare dhe atë etnike, Kryeministri Berisha shtoi: “Këta, të cilët na thonë ne, në virtytin, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi, se të shënosh fenë është diçka negative, këta janë njerëz të pazotë, këta janë mjeranë, ateistë që kanë frikë zotin, sepse ai që e beson zotin, e di se pavarësisht besimit bashkohet tek zoti me vëllezërit e tij, me motrat e tij. Mund t’i bëj unë me zot ata? Jo, këtë s’mund ta bëj... Nuk mundet që ateistët që kanë tmerr zotin, të diktojnë”, - tha ai. Pa përmendur emra konkretë, Berisha ka lënë të kuptohet qartë se pakënaqësia e tij vjen direkt për kryetarin e shtetit Bamir Topi dhe nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu. “Ata të cilët shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin këto karrige, ata përdhosin Kushtetutën, postet dhe karriget dhe janë më të mjerë se çakejtë e tyre, sepse çakejtë të paktën lehin, ndërsa ata vetë fshehin fytyrën dhe kanë frikë të dalin dhe kështu shndërrojnë institucionet kushtetuese të vendit në strofulla praktikash, konceptesh dhe qëndrimesh ataviste, primitive. Nuk mund të them antikombëtare, se nuk mund t’i vendos këta në raport me kombin, nuk duhet përdorur fare ky term për ta. Këta njerëz nuk vendosin dot as raport me zotin, as raport me identitetin”, tha Berisha. Përkundrejt akuzave drejtuar Spahiut dhe Topit, kryeministri Berisha është treguar i kujdesshëm në qëndrimin e tij kundrejt aleatit të tij, Shpëtim Idrizi, i cili para zgjedhjeve ka qenë thuajse në një zë me Aleancën “Kuq e Zi”. Berisha deklaroi dje se amendimet që iu bënë këtij ligji, ishin mëse të domosdoshme. Në këtë rast, Berisha i referohej pikërisht amendimeve të propozuara nga PDIU pak kohë më parë në Kuvend. “Me amendimin e ligjit bëmë vetëm dy gjëra, hoqëm nga certifikata nacionalitetin, pasi nuk e shkruan më askush dhe vetëm kaq. Hoqëm një nen absurd në ligjin e regjistrimit, sipas të cilit të dhënat e regjistrimit duhet të hidhen në gjendjen civile. Kjo ishte një injorancë ligjbërëse. Të dhënat e regjistrimit dhe gjendja civile janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Gjendja civile është regjistri i hyrjeve dhe daljeve nga kjo jetë, ajo është “perpetua mobile” e regjistrimit të çdo qytetari që lind, që ndahet nga jeta ose që lëviz nga qendra e banimit...”, - tha Berisha.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›