E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE arrin marrëveshjen me PS

26/02/2005  Të hënën do të nënshkruhet varianti përfundimtar për ndarjen e re zonale

OSBE ka përfunduar dje diskutimet mes forcave kryesore të politikës shqiptare mbi ndarjen e re zonale. Burimet kanë konfirmuar se socialistët kanë pranuar variantin e paraqitur nga OSBE-ja mbi ndarjen zonale. Marrëveshja përfundimtare mbi ndarjen e re zgjedhore do të firmoset nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike ditën e hënë në selinë e OSBE-së. Ky duket se do të jetë kontributi më i fundit i OSBE-së për fushatën parazgjedhorem, pasi çështja do të kalojë në vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa dje në selinë e OSBE-së, është debatuar mbi zonat e Qarkut të Beratit, Korçës dhe Elbasanit. Mësohet se me socialistët do të diskutohet ndarja e vetëm 2 qendrave të votimit, por që gjithsesi nuk përbën një rrezik për marrëveshjen e lidhur vetëm një ditë pas deklaratës së ashpër të kryenegociatorit të Bashkimit Evropian, Reinhard Priebe.

Përfundimet

Përfundimisht qyteti i lashtë do të ketë 6 deputetë në parlament nga 7 që ka pasur më parë. Ndërsa Vlora do të ketë në parlament vetëm 8 përfaqësues, nga 9 që ka pasur më parë. Në konfigurimin e ri të zonave zgjedhore kanë përfituar banorët e kryeqytetit si dhe ata të Shkodrës. Tirana do të ketë në Kuvend 20 deputetë, ndërsa Shkodra do të ketë 9 të tillë, nga 8 që ka pasur më parë. Gjithashtu, mësohet se palët kanë pranuar ndryshimin e të 100 zonave zgjedhore, por pa prekur ndarjet e qarqeve. Pasi dhe në ndryshimet e bëra, votuesit janë shpërndarë në zonat që janë brenda të të njëjtit qark. Në bisedimet e ditëve të fundit është arritur dhe në një zgjidhje për zonat me elektorat të minoritetit. Sipas burimeve zona e Delvinës është bashkuar me atë Himarës, duke mos prekur kufijtë ndarës të qarqeve.

PD

Menjëherë pas përfundimit të bisedimeve me Partinë Socialiste, burimet nga PD janë shprehur se përfaqësuesit e kësaj partie janë të gatshëm që të nënshkruajnë marrëveshjen. Sipas tyre, varianti i OSBE-së është konform kriterëve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor ndaj dhe kjo parti është e gatshme që ditën e hënë të hedhë firmën për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Pas këtij veprimi, deputetët e PD-së dhe të PS-së do të paraqesin në Kuvend projektligjin e ndarjes së re elektorale, për ta kaluar në miratim me procedurë të përshpejtuar. Madje, dhe në rendin e punës së Kuvendit të Shqipërisë është pranuar që kjo çështje do të miratohet brenda javës.

Ndryshimet

Shkodra nga 8 deputetë do të ketë 9

Tirana nga 19 deputetë do të ketë 20

Vlorë nga 9 deputetë do të ketë 8

Berat, nga 7 deputetë do të ketë 6

Tabela e shpërndarjes së zonave për çdo rreth

Shkodër 9 deputetë

Kukës 3 deputetë

Lezhë 5 deputetë

Dibër 5 deputetë

Durrës 8 deputetë

Tiranë 20 deputetë

Elbasan 11 deputetë

Fier 12 deputetë

Berat 6 deputetë

Korçë 9 deputetë

Gjirokastër 4 deputetë

Vlorë 7 deputetë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›