E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rregulloni ligjin e mediave

26/02/2005  Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias Miklós Haraszti

Servet Pëllumbi Kryetar i Kuvendit i Republikës së Shqipërisë, Tiranë

I kam ndjekur me interesim të madh diskutimet aktuale për projektligjin për median e shkruar në Shqipëri. Jam i kënaqur që kësaj teme, shumë të rëndësishme, po i kushtohet një vëmendje e tillë.

Unë jam në dijeni që pjesa më e madhe e debatit po përqendrohet në nenin 10 të projektligjit rreth vendosjes së një çmimi minimal për gazetat dhe përjashtimin e pronarëve të medias nga konkurrimi për tendera publikë.

Këto janë, pa dyshim, tema të rëndësishme. Megjithatë, unë do të dëshiroja përsëri të tërhiqja vëmendjen ndaj komenteve ligjore të porositura nga zyra ime, vitin e kaluar, dhe që ju dorëzuan juve dhe autoriteteve të tjera shqiptare përkatëse, veçanërisht, “Përgjigjja ndaj kërkesës së Kryetarit të Komisionit Shqiptar Parlamentar të Medias për asistencë lidhur me disa çështje thelbësore të hartimit të ligjit për shtypin” e korrikut 2004, si dhe “Memorandumi për Projektaktin shqiptar të Lirisë së Shtypit” i tetorit 2004.

Ndërsa vëmë re se qëllimi kryesor i nenit 10 është të garantojë pluralizmin dhe larminë në media, mendimi im vazhdon të jetë që metodat e përcaktuara në këtë dispozitë nuk janë të përshtatshme për një ligj për median. Dokumentet e përmendura më sipër pasqyrojnë pikëpamjet e zyrës sime, lidhur me çështjet në nenin 10 në detaje.

Përveç kësaj, do të dëshiroja, gjithashtu, të theksoja nevojën që diskutimi i projektligjit për shtypin të përqendrohet në pjesët e tjera të ligjit. Shumë prej këtyre çështjeve janë vendimtare për panoramën e medias në Shqipëri dhe për mundësitë që media të funksionojë në mënyrë të lirë dhe të pavarur (për shembull, referenca për të drejtën kushtetuese për lirinë e shprehjes; përkufizimi i gazetarit; të drejtat e gazetarëve; kriteret për kryeredaktorin; masat për nxitjen e larmishmërisë; e drejta e replikës dhe e korrigjimit; transparenca e strukturës së pronësisë; e drejta për ruajtjen e anonimatit; afatet për marrjen e informacionit publik për gazetarët). Unë do ta vlerësoja asistencën tuaj në drejtimin dhe zgjerimin e debatit publik për trajtimin edhe të këtyre çështjeve.

Nga pikëpamja e lirisë së shprehjes, nuk ka asnjë urgjencë në Shqipëri që ky projektligj të miratohet menjëherë. Për këtë arsye, sipas mendimit tim, do të ishte më mirë që të kishim një diskutim mbi të gjitha aspektet e projektligjit, përpara se ai të votohet nga Kuvendi, me qëllim që të kemi një ligj, që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy institucioneve tona, unë përfitoj nga rasti për t’ju përsëritur juve, z.Kryetar, konsideratat e mia më të larta.

Me respekt, Miklós Haraszti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›