OSBE dhe KE certifikojnë ndryshimet në Kushtetutë
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, ka mirëpritur miratimin e ndryshimeve kushtetuese për sistemin zgjedhor në Shqipëri. Sipas një njoftimi për shtyp të OSBE-së, thuhet se ambasadori Bosch shpreson që këto ndryshime t’i japin një shtysë të mëtejshme përfundimit në kohë të reformës zgjedhore. “Ky është një hap i qartë dhe i sigurt drejt adresimit të rekomandimeve të bëra në vitin 2005 nga OSBE-ja dhe Zyra e saj për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Megjithatë, çështje si administrimi i zgjedhjeve, ankimet dhe apelimet në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, financimi i partive politike dhe pjesëmarrja e grave mbeten ende për t’u adresuar. Debati për Kodin Zgjedhor duhet t’i zgjidhë përfundimisht edhe këto çështje”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjithsesi, ambasadori Bosch nuk ka preferuar të mos komentojë thelbin e ndryshimeve kushtetuese, që nuk lidhen me reformën zgjedhore, por vuri në dukje mungesën e kohës së mjaftueshme për një debat të gjerë me përfshirjen e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i cili vuri theksin në konsensusin e gjetur për të bërë ndryshimet.
Bregu: ”Liberalizimi i vizave do të marrë fund në vitin 2009”
Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë një takimi në auditorin e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, u shpreh se liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Europian pritet që të mbyllet në vitin 2009. “Sipas llogarive aktuale dhe mënyrës së vlerësimit që i janë bërë reformave dhe procesit në tërësi, besoj se do të jemi anëtarë e BE-së jo para 2013-2014-s. Por nuk më duket se jemi shumë larg, ndërsa kemi ende shumë për të bërë. Besojmë të mbyllet në 2009-n. E ky mund të jetë përkthimi më i saktë i pritshmërisë që kanë shqiptarët për Bashkimin Europian”, - tha ministrja Bregu përpara studentëve të qytetit të Elbasanit. Duke vijuar më tej në fjalën e saj, ministrja Bregu është ndalur fillimisht në shpjegimin se integrimi evropian është i lidhur ngushtë me demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Sipas saj, ky proces mund të shihet i konturuar në tre kriteret e Kopenhagenit: politik, ekonomik dhe administrativ. Ndër të cilët, ai politik ka një rëndësi të veçantë. Ministrja është ndalur dhe te Progres Raporti Vjetori i Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili konsiderohet si udhërrëfyesi i Shqipërisë drejt procesit të integrimit, me rekomandimet e plotë që përcillen përmes tij.
23 Prill 2008