E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama fton LSI-në, Meta: “Ftesa është hipokrite”

Kreu i PS-së u ka bërë thirrje aleatëve për bashkëpunimin e ri të së majtës. Meta dhe Ceka: Nuk mund të bashkëpunojmë me aleatin e Berishës

Shaban Sulçe
Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Parlament, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka bërë thirrje LSI-së dhe liderit të saj Ilir Meta për të rinisur bashkëpunimin me PS-së. Duke i quajtur ndryshimet kushtetuese si reforma historike, Rama tha se tashmë ka ardhur koha për një bashkëpunim të ri të opozitës për të siguruar fitoren në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. Por e menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Ai tha se aleanca Rama-Berisha solli cenimin e turpshëm të Kushtetutës. Meta u shpreh se refuzonte ftesat e pasinqerta dhe bashkëpunimin me aleatin e Berishës. Reagim refuzues ka ardhur edhe nga kryetari i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se nisma e PS-së për të ndryshuar Kushtetutën u shërben zgjedhjeve të ndershme në Shqipërisë dhe se nuk kishte për qëllim dëmtimin e aleatëve në zgjedhje.
“Duke i mirëkuptuar të gjitha ekseset verbale në debatin që shoqëroi ndryshimin e madh të miratuar dje nga Kuvendi i Shqipërisë, unë dua të ftoj sot të gjithë ata që u pozicionuan e votuan kundër kësaj reforme të domosdoshme, që të kuptojnë se ky ndryshim themelor nuk është kundër atyre e as nuk përjashton askënd nga mundësia për të konkurruar në mënyrë të lirë e të ndershme. Dua t’i ftoj aleatët tanë që ta shohin përpjekjen tonë si shprehjen e një vetëdije të re, për rolin që duhet të luajë partia më e madhe në Shqipëri në funksion të përmirësimit të procesit politik e të çlirimit të politikës nga peshat e rënda të konflikteve dhe armëve të vjetra të luftës për pushtet”, - u shpreh kreu i selisë rozë, Edi Rama. Ai u shpreh se tashmë ka ardhur koha e një bashkëpunimi të ri të opozitës. “Është koha e forcës së qetë dhe jo e gjuhës së forcës. Është koha e rikonceptimit të filozofisë së bashkëpunimit mes të gjitha forcave e individëve që duan fundin e tranzicionit, fundin e politikës së vjetër dhe fundin politik të simbolit të kësaj politike, kryeministrit Sali Berisha”, - tha Rama.
Meta
Kreu i LSI-së ka mbajtur qëndrim të kundërt në krahasim me Ramën përsa u përket ndryshimeve të Kushtetutës. Meta akuzoi Ramën se në bashkëpunim me Berishën ai dhunoi vullnetin e popullit shqiptar. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dua të dënoj seancën e turpit të zhvilluar dje, ku aleanca më korruptive që ka njohur vendi gjatë 18 viteve, Rama-Berisha, dhunoi vullnetin e popullit shqiptar, i cili i dha jetë asaj Kushtetute që ndau Shqipërinë e re, Shqipërinë që bëri hapa të rëndësishëm përpara drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s, nga Shqipëria që dogji Sali Berisha në vitin 1997. Me kartonët e tyre deputetët e Partisë Socialiste, që votuan në unitet të çeliktë me Sali Berishën ndryshimet kushtetuese, nuk bënë gjë tjetër veçse tradhtuan ato përpjekje të qindra mijëra socialistëve dhe progresistëve, të cilët derdhën edhe gjak në vitin 1994 për të rrëzuar thelbin e projekt kushtetutës të Sali Berishës, thelb të cilin Sali Berisha e mori dje nga Edi Rama dhe servilët e tij, që u është premtuar të gjithëve se do të jenë të parët në listat e mbyllura rajonale, duke ndryshuar disa nene thelbësore të Kushtetutës, që është afera më e madhe e ndodhur deri tani në jetën politike”, - tha Meta. I pyetur për ftesën për bashkëpunim të bërë nga kreu i selisë rozë, Meta tha: “Nuk mund të ketë bashkim të ri me demagogun e vjetër Edi Rama dhe me sivëllain e tij Sali Berisha. LSI-ja nuk hyn në koalicion me Sali Berishën. Ne nuk mund të hyjmë në një koalicion me hipokritin Edi Rama. Ndaj ftesa të tilla janë vetëm hipokrizi dhe demagogji. Nuk hyn LSI-ja në koalicion me Sali Berishën, sikurse hyri Edi Rama”.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›