OSBE mbush 35 vjeç, kujtohet Akti Final i Helsinkit
Ka mbushur 35 vjet akti juridik që mban në këmbë një nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, siç është OSBE-ja, por edhe një nga dokumentet që përcakton mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. “Pas 35 vitesh, Akti Final i Helsinkit nuk e ka humbur aktualitetin”, tha kryetari i radhës i OSBE-së. Kryetari i radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm dhe njëherësh Sekretari i Shtetit i Kazakistanit, Kanat Saudabajev, tha se “në 35 vitet e ekzistencës së tij, Akti Final i Helsinkit nuk e ka humbur rëndësinë dhe aktualitetin e tij. Koncepti novator dhe gjithëpërfshirës i sigurisë, që u themelua nga udhëheqësit e 35 shteteve në Helsinki, mbetet edhe sot një faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe bashkëpunimit në zonën e përgjegjësisë së OSBE-së”, tha ai. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, deklaroi në një artikull të tijin të shpërndarë për mediat botërore se “thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së sjell avantazhe shtesë. Unë shoh pesë fusha të veçanta, praktike për bashkëpunim më të gjerë: që janë: çarmatimi bërthamor dhe ndalimi i përhapjes së armëve bërthamore, sigurimi i paqes, zgjedhjet, mjedisi dhe zhvillimi, si dhe të drejtat e njeriut. Kurse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, thekson se “në ditët e sotme, OSBE dhe NATO plotësojnë njëra-tjetrën edhe përtej Europës. Të dyja këto organizata po e ndihmojnë Afganistanin të ecë me këmbët e veta dhe të sigurojnë që ky vend nuk do të jetë kurrë më një strehë e sigurt për terroristët më të tmerrshëm të botës. Kjo tregon potencialin e institucioneve ndërkombëtare për të bashkëpunuar në përballjen e sfidave të përbashkëta. Ka kohë që NATO e mbron këtë përqasje gjithëpërfshirëse, e cila do të reflektohet qartë në konceptin e ri strategjik që do të miratohet nga Aleanca gjatë këtij viti”.
#