E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patentat shqiptare, tani të vlefshme dhe në Itali

 

Shqiptarët që kanë marrë lejen e drejtimit të makinës apo siç thuhet ndryshe patentën, tani mund të udhëtojnë lirshëm në Itali, pasi ky dokument do t’u njihet edhe në këtë vend. Në këtë mënyrë, shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të përdorin patenta ndërkombëtare kur kalojnë kufirin. Sipas burimeve nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka hyrë në fuqi marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar me palën italiane. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë një kategori e caktuar shqiptarësh. Kështu, shqiptarët që janë rezident në Itali, ose ata që shkojnë për studime ose qëndrime të gjata, në bazë të marrëveshjes u njihet e drejta të përdorin për 1 vit patentën shqiptare dhe pas një viti ajo mund të konvertohet pa pagesë automatikisht me patentën italiane, si dhe e kundërta. Ndërsa shqiptarët që kanë më shumë se tre vjet që jetojnë në Itali, por që për fat të keq nuk kanë mundur të marrin patentën italiane, por që disponojnë patentën shqiptare, u njihet e drejta e konvertimit pa kryer kurset e autoshkollave. Por me kusht që të japin një provë mbi aftësitë dhe shprehitë e drejtimit të automjetit. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, marrëveshja lidhur me njohjen reciproke apo konvertimin e leje-drejtimit shqiptar me leje-drejtimi italiane ka goxha anë pozitive dhe për të gjithë drejtuesit e automjeteve profesionistë shqiptarë, të cilët janë në emigracion në Itali, (që disponojnë kategoritë B, C, D, D+E), do të përfitojnë në kohë, pasi marrja e të gjitha kategorive të lejes së drejtimit italiane, bazuar në legjislacionin italiane, kërkon plotësimin e intervaleve kohore nga një kategori në tjetrën, kohë e cila është 2-3 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›