OSSH bën faturime aforfe për kopshtet dhe shkollat
Komunat dhe bashkitë e Qarkut të Fierit akuzojnë për abuzime me faturat e energjisë. Sipas tyre, filiali i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike Fier ka prerë fatura aforfe tepër të kripura për institucione të ndryshme arsimore, edhe pse këto të fundit kanë qenë të mbyllura për shkak të pushimeve të verës. Sipas tyre, abuzimet me faturat kanë arritur deri aty sa i është faturuar konsum energjie dhe për një kopsht që nuk funksionon prej vitesh. Lajmi bëhet i ditur nga "të ndëshkuarit" prej faturave aforfe, ndërkohë që pranohet edhe nga zyrtarët e OSSH-së së Fierit. Ndërsa të parët kërcënojnë se do t‘i drejtohen gjykatës, filiali i OSSH-së ka deklaruar se do të marrë në shqyrtim çdo rast. Pas ankesave të shumta nga komunat e bashkitë, krerët e OSSH-së kanë vendosur që për çdo ankesë të bëjnë verifikimet.