Policia sekuestron edhe një sërë mallrash të ndryshme
Katër persona kanë përfunduar në prangat e Antikrimit Ekonomik në Tiranë, pasi janë kapur gjatë operacionit të koduar "Stuko" dhe dyshohen se merreshin me falsifikim materialesh ndërtimi. Sipas policisë, të arrestuarit akuzohen për veprat penale të "Prodhimit të kundërligjshëm të artikujve industrialë dhe ushqimorë", "Mashtrim" dhe "Falsifikimi vulash, stampash apo formularësh". Gjatë operacionit të koduar "Stuko", realizuar nga specialistët e Antikrimit Ekonomik, u arrestuan Avni Barjaktari 45 vjeç, Arjan Kona 38 vjeç, Agron Ramlli 46 vjeç, dhe Aurel Çezma 34 vjeç. Specialistët e këtij seksioni, qysh në muajin tetor të vitit 2008, kanë nisur hetimet për një subjekt i cili dyshohej se prodhonte dhe tregtonte produkte ndërtimi, duke falsifikuar produktin dhe ambalazhin e subjektit tregtar "Italcol". Pas një hetimi të realizuar nga ky seksion, ka rezultuar se këto produkte të falsifikuara janë prodhuar dhe tregtuar për një periudhë 2-vjeçare, ndërkohë që dyshohet se dëmi që i ka shkaktuar shtetit shkon në shuma të konsiderueshme parash. Po ashtu edhe dëmi që i ka shkaktuar subjektit tregtar "Italcol", përllogaritet të arrijë në vlera të konsiderueshme. Operacioni policor "Stuko" u shtri në disa zona të kryeqytetit, si "Rruga Ura", Kamzë, "Rruga e Barrikadave" dhe ish-uzina "Dinamo". Me synim finalizimin me sukses të këtij operacioni u angazhuan specialistë të Seksionit të Mbikëqyrjes dhe Vëzhgimit Operacional, si dhe punonjësit e policisë së Forcës së Posaçme të Drejtorisë së Policisë Tiranës, nga ku u realizua kapja në flagrancë e shtetasve të mësipërm. Ata u kapën gjatë momenteve të prodhimit dhe të tregtimit të produkteve të falsifikuara, si dhe të subjekteve të ndryshme tregtare me emërtimet "Intonaco Fino", "Italcol", "Superkoll" dhe "Alea Mix". Gjatë operacionit rezultoi se vendi i stampimit dhe prodhimit të ambalazheve të produkteve të falsifikuara ndodhej brenda ambienteve të ish-uzinës "Dinamo", si dhe në ambientin e shtypshkronjës "Miq dhe Paqe".