Obama: 11 shtatori, moment për t’i përkujtuar viktimat

“Përvjetori është për ata dhe është kohë për të reflektuar se sa larg kemi ardhur si vend, gjatë këtyre 11 viteve të kaluara”, tha Barack Obama.
Më tutje, ai theksoi se ky është rast “për t’i falënderuar meshkujt dhe femrat tona në uniformë, që kanë shërbyer dhe kanë sakrifikuar, ndonjëherë larg nga shtëpia, për ta mbajtur të sigurt vendin tonë”.
Përkujtimi mbetet i gjallë për ditën kur rrëmbyesit e Al-Qaidës i përplasën dy aeroplanë të udhëtarëve në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, duke i shkatërruar Kullat binjake, ndërsa aeroplani i tretë u rrëzua në ndërtesën e Pentagonit në Washington.
Aeroplani i katërt i rrëmbyer nga terroristët u rrëzua në një fushë në Pensilvani, pasi udhëtarët trimërisht i mposhtën rrëmbyesit.
Afro 3 mijë njerëz janë vrarë atë ditë në sulmin më vdekjeprurës në tokën amerikane.