Obama: Luftës në Irak po i vjen fundi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama ka deklaruar se tërheqja e trupave ushtarake amerikane nga Iraku, nënkupton fundin e luftës, dhe se tani irakenët duhet ta ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre. Presidenti Obama ka rikujtuar se operacionet luftarake amerikane në Irak, përfundojnë zyrtarisht të martën, më 31 gusht, dhe në këtë mënyrë ai përmbush premtim e dhënë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008. Shtatë vjet e gjysëm pas përmbysjes së regjimit të Sadam Hyseinit, ushtria amerikane ka tërhequr trupat e fundit ushtarake nga Iraku. Brigada e fundit luftarake kaloi kufirin me Kuvajtin në natën duke u gdhirë dita e enjte. Ka qënë vetë dëshira e këtyre ushtarëve që të largohen nga Iraku përmes rrugës së rrezikshme tokësore dhe jo përmes asaj ajrore. Ata shprehën dëshirën që luftës së diskutueshme të filluar nga ish presidenti amerikan Xhorxh Bush me 20 mars të vitit 2003 t'i japin fund me kokën e ngritur lart para gazetarëve të grumbulluar për ta përcjellur këtë ngjarje. Në Irak do të vazhdojnë të qëndrojnë 50 mijë ushtarë deri në fund të vitit 2011, të cilët do të angazhohen në misionet e ndihmës dhe këshillimit.