Obama-Romney sfida e milionave

Tashmë që sfida është e qartë, dhe nuk ka më asnjë dyshim se kush do të garojë për në Shtëpinë e Bardhë në 6 nëntor të këtij viti, fushata elektorale është bërë dhe më e egër. Strategu historik i ish-presidentit Bush, Karl Ruv ka bërë të ditur se ka gati 200 milion dollarë për të shpenzuar në fushatën anti Obama. Ky i fundit ndërkohë ka mbledhur më shumë se 150 milionë dollarë për fushatën elektorale për rizgjedhjen e tij, por objektivi kryesor është arritja e 750 milionë dollarëve. Stafi i fushatës elektorale të republikanit Rumni ka bërë të ditur se po përgatisin materiale shumë të ashpra kundër presidentit Obama. Por nga ana tjetër dhe kampi i Obamës sapo ka transmetuar një përmbledhje të gafave më të mëdha dhe fjalimeve kontradiktore të Rumnit gjatë fushatës së tij. Por ekipi Obamës po përdor edhe një teknikë e cila rezultoi e sukesshme në vitin 2008. Bërja për vete e çdo votuesi duke dhuruar donacione qoftë dhe të vogla. Një nga shtetet ku mendohet që gara të jetë e fortë është Florida, ku Rumni mund të përdorë armën e tij më të fortë, ekonominë. E ndërsa Rumni do të përqendrohet në katër shtete të rëndësishme si Virxhinia, Kolorado, Nevada dhe Ohajo, Obama do të darkojë në shtëpinë e yllit hollivudian Xhorxh Kluni, për të mbledhur fonde nga kolegët e tij dhe jo vetëm. Në fakt bëhet fjalë për 150 të ftuar Vip që do të paguajnë 40 mijë dollarë për kokë. Për një total prej 6 milionë dollarësh për një mbrëmje.