E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Shqiptarët do të kthehen në pronat e tyre në veri

Ndërkohë që grupimi i Fuqive të Mëdha perëndimore, aleate të Kosovës, kanë qetësuar Prishtinën për misionin e EULEX-it, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se do të ndryshohen rrethanat, duke rrëzuar strukturat paralele në veri të Kosovës dhe të kthehen shqiptarët në pronat e tyre, të cilat nuk mund t‘i përdorin prej qershorit të vitit 1999. Përfaqësues të vendeve të Kuintit (ku janë grupuar SHBA-ja, Japonia, Kanadaja, Australia dhe vendet e BE-së) i dorëzuan sot udhëheqësve më të lartë të Kosovës, një deklaratë të lëshuar në Bruksel, që ka të bëjë me vendosjen e misionit EULEX. Në këtë deklaratë thuhet se BE-ja mbështet konkluzionet e dala në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Ndërkaq, Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi kërkuan nga vendet e Kuintit ta sigurojnë shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, me një mandat të vetëm. Bashkimi Evropian, përmes një deklarate, paralajmëron vendosjen e shpejtë të misionit EULEX në Kosovë. Në emër të Presidencës së radhës së BE-së, Francës, këtë deklaratë ua dorëzoi dje udhëheqësve më të lartë të vendit, ambasadorja Delphine Borione. Në takim ishin edhe tre përfaqësues të tjerë të vendeve të Kuintit: të Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Italisë. Ambasadorja Borione tha se deklarata mbështet konkluzionet e dala nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. "Kjo deklaratë i mirëpret konkluzionet e dala në Këshillin e Sigurimit dhe paralajmëron vendosjen e shpejtë të EULEX-it. Këto janë pikat kryesore që dalin edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe kjo deklaratë e mirëpret vendosjen e misionit shumë shpejt", ka thënë ambasadorja Borione. Ambasadori britanik, Andrju Sparks, shprehu vendosmërinë për instalimin e shpejtë të misionit EULEX. "Ne diskutuam rreth gatishmërisë së liderëve për të vendosur EULEX-in në të gjithë territorin e Kosovës dhe jemi të vendosur për këtë. Kjo është një ndër katër pikat e planit të Kosovës dhe është më e rëndësishmja, mbi bazë të së cilës ne do të ecim përpara dhe kjo është në të mirë jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit", ka deklaruar ambasadori Sparks. Ndërkaq, udhëheqësit më të lartë të vendit, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi, kanë kërkuar nga vendet e Kuintit të sigurojnë që EULEX-i të mos vendoset me standarde të dyfishta në Kosovë. Presidenti Sejdiu tha se ky mision nuk mund të ketë dy mandate: një për shqiptarët e një për serbët. "Ne insistojmë që shtrirja e EULEX-it të shtrihet shumë shpejt dhe s‘mund të jenë dy EULEX-e, apo dy formula këtij misioni. Nuk mund të jenë dy mandate ndërkombëtare në Kosovë", ka theksuar Presidenti Sejdiu.

Me këtë rast, Presidenti i bëri thirrje edhe shefit të EULEX-it Iv de Kermabo, që t‘i përmbahet mandatit të tij dhe të përshpejtojë shuarjen e strukturave paralele në veri. "Bërthama kryesore në ide dhe përmbajtje e vendosjes së EULEX-it është projekti Ahtisari. Kini parasysh se është tepër e domosdoshme shuarja e shpejtë e strukturave paralele, të cilat realisht janë struktura kriminale. Janë disa prej tyre që kanë bërë krime në Kosovë e gjetkë dhe që natyrisht tani merren edhe me kriminalitet ekonomik. Kësaj strukture dhe njerëzve që e mbështesin iu intereson të mos ketë stabilitet në Kosovë dhe të mos ketë qetësi e sundim të ligjit", ka thënë Sejdiu. Kryeministri Hashim Thaçi gjithashtu kërkoi nga EULEX-i të përqendrohet më shumë në veri, me qëllim të përshpejtimit të shuarjes së strukturave paralele serbe. "Jam optimist se do të kemi veprim konkret dhe do të ndryshojnë rrethanat që edhe në veri të mos ketë struktura paralele, të mos ketë paramilitarë, të mos ketë struktura jolegjitime dhe njerëzit të fillojnë të kthehen në pronat e tyre, të cilat tani janë të uzurpuara nga njerëz që kryejnë punë jo të mira për vendin", ka theksuar Thaçi. Kryeministri ritheksoi se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet të cenohet territori i vendit.

Ambasadori britanik

Ne diskutuam rreth gatishmërisë së liderëve për të vendosur EULEX-in në të gjithë territorin e Kosovës dhe jemi të vendosur për këtë. Kjo është një ndër katër pikat e planit të Kosovës dhe është më e rëndësishmja, mbi bazë të së cilës ne do të ecim përpara

Thaçi

Do të kemi veprim konkret dhe do të ndryshojmë rrethanat që edhe në veri të mos ketë struktura paralele, të mos ketë paramilitarë, të mos ketë struktura jolegjitime dhe njerëzit të fillojnë të kthehen në pronat e tyre



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›