E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama informohet për kërcënimin terrorist

Zyrtarët e sigurisë së Shteteve të Bashkuara, kanë njoftuar presidentin Barak Obama në lidhje me kërcënimin terrorist, në prag të 10-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, tha se këshilltari kundër terrorizmit, Xhon Brenan, dhe këshilltari për siguri kombëtare, Tom Donillon, kanë informuar presidentin për detajet e “kërcënimit të besueshëm, por të pakonfirmuar”.

Karni tha se Obama ka përsëritur urdhrin e tij për agjencitë e sigurisë, që t`i dyfishojnë përpjekjet për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme.

Duke folur në Uashington, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha:

“Ne po e marrim seriozisht këtë kërcënim. Autoritetet federale, shtetërore dhe lokale po ndërmarrin hapa për ta adresuar atë. Bërja publike e kërcënimit ka për qëllim t`iu bëjë thirrje miliona njujorkezëve dhe amerikanëve të jenë vigjilentë”.

Të enjten, vetëm pak ditë para 10-vjetorit të 11 shtatorit, zyrtarët federalë kanë marrë një kërcënim për shpërthimin e makinave bombë në Nju Jork dhe Uashington.

Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka ndryshim të axhendës së Obamës, i cili ka planifikuar të vizitojë Nju Jorkun, Pensilvaninë dhe Pentagonin të dielën, për të përkujtuar amerikanët që kanë humbur jetën në sulmet e 11 shtatorit 2001.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›