Obama lavdëron Amerikën Latine

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka lëvduar vendet e Amerikës së Jugut si një shembull i shkëlqyer për kombet në Lindjen e Mesme, që luftojnë për liri politike.
Në një kohë që njerëzit në gjithë botën kërkonin lirinë e tyre, Kili tregoi shembullin se është e mundur që një diktaturë të zëvendësohet me një demokraci "dhe kjo të bëhet në mënyrë paqësore", tha Obama gjatë vizitës në Kil.
Washingtoni e sheh Amerikën Latine jo më si një zonë konflikti të përhershëm, që është e përfshirë shpesh nga varfëria, por si një rajon në rritje dhe dinamikë, tha më tej presidenti amerikan.
Obama shkoi nga Brazili në Kili, ndërsa stacioni i fundit i turit të tij pesëditore do të jetë El Salvadori
Obama bëri thirrje për marrëdhënie të reja ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Latine, mbi bazë të partneritetit të barabartë.
Ai tha se Amerika Latine ka rëndësi themelore për sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-ve.