E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama mirëpret ligjin për reformat financiare

Senati amerikan ka miratuar ligjin për një kontroll më të rreptë të tregut financiar amerikan. Reforma synon t'i ndalojë aktivitetet tepër spekulative, me qëllim që të mos përsëritet më një krizë financiare si ajo e vitit 2008.

Krahas kësaj, me reformën e re do të lehtësohet procesi i likuidimit i bankave të mëdha dhe do të ngrihet një autoritet i ri për mbrojtjen e konsumatorit.

Reforma financiare, krahas reformës në shëndetësi, konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme të presidentit Obama në politikën e brendshme.

Ajo parasheh ndërhyrje më të madhe të shtetit në sistemin bankar, që nga koha e krizës së madhe të viteve 30-të, të njohur si koha e depresionit të madh.

Presidenti amerikan, Barack Obama deklaroi se Wall-Street ka dështuar me përpjekjet e lobistëve të saj për të bllokuar apo zbutur ligjin.

Dokumenti i miratuar nga Senati duhet të plotësohet me atë të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve përpara se t’i dërgohet presidentit Obama.

Shtëpia e Bardhë e ka përshëndetur miratimin e ligjit.

“Derisa ne po vazhdojmë të dalim nga recesioni, kjo reformë është një hap i rëndësishëm që do të forcojë ekonominë tonë”, tha presidenti Obama.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›