E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, një tjetër këndvështrim mbi Presidentin e 44-t

Shtetet e Bashkuara të Amerikës
zgjodhën Presidentin e tyre të 44!
Ishte Barak Obama, senatori
demokrat i shtetit të Ilinoisit, senatori
i pestë afro-amerikan në të gjithë
historinë e vendit dhe i vetmi afro-amerikan
në Senatin e tanishëm, ai që e fitoi
këtë post. Fitoren e tij të bujshme e përshëndeti
madje dhe kundërshtari i tij
republikan, Xhon MekKein, i cili mandej
i ftoi "amerikanët për unitet". Me
zgjedhjen e Obamës, SHBA bënë një hap
tjetër drejt së panjohurës. Askush nuk e
di se cili do të jetë rezultati përfundimtar
i këtij veprimi.
Nuk ka dyshim që si fillim, me
ngjyrën e lëkurës së Obamës, "përfundon
lufta civile amerikane"- shkruan
"Neë York Times" pas zgjedhjes së Presidentit
të parë me ngjyrë për SHBA. Por le
të sjellim pak në vëmendjen e lexuesit
bilancin e integrimit racor në SHBA. Që
nga koha kur afro-amerikanëve iu njohën
të drejtat qytetare, kanë kaluar
vetëm 44 vjet e gjatë kësaj kohe, u shfaq
një klasë e mesme me ngjyrë, që nuk
mund të lihej pa u marrë në konsideratë,
mbi 40 politikanë me ngjyrë kanë zënë
vende në Dhomën e Përfaqësuesve,
artistë me ngjyrë fitojnë çmimet "Oskar",
ndërsa në sport ata dominojnë. E kundërta
ndodh me ecurinë e tyre në pjesëmarrjen
për qeverisjen e vendit, e cila nuk i
përgjigjet raportit që ata zënë në popullsinë
e vendit.
Në Senat, Obama ishte i vetmi senator
me ngjyrë, ndërsa në të gjithë historinë
e vendit, senatorët me ngjyrë kanë
qenë vetëm tre. Në postin e guvernatorit
është ngjitur vetëm një afro-amerikan
(Dagllas Uajlldër në shtetin e Virxhinias).
Vitet e fundit, në majat e pushtetit kanë
arritur Kolin Pauell e Kondoleza Rais,
ndërsa marrë në përgjithësi afro-amerikanët
arrijnë të kapin vetëm nivelet e
ulëta të piramidës së pushtetit. E njëjta
gjë ndodh me latino-amerikanët, kinezët
dhe indianët. Nëpër qytete, të zinjtë e të
bardhët jetojnë në rajone të ndara. Kolin
Pauell, në momentet kur mendohej të
kandidonte apo jo për President, frika
për jetën e ndali nga ky hap. Fakti që
Obama është djalë i një gruaje të bardhë
nuk ka rëndësi për ligjet raciste që kanë
ekzistuar deri në vitin 1964, sipas tyre çdo
njeri, në venat e të cilit rrjedh sado pak
gjak afrikan trajtohet njëlloj si negër i
pastër. Kjo ishte dhe arsyeja që pritej të
shfaqej "Efekti i Bredlit", d.m.th fshehja
nëpër anketa e faktit që nuk do të votohet
për një afro-amerikan.Ndodhi e
kundërta. Ky efekt jo vetëm që nuk u
shfaq, por ngjyra e lëkurës së Obamës
kësaj radhe ishte në dobi të tij. Ai u votua
në masën 90 për qind nga afro-amerikanët.
Votuesit e varfër ishin për
Obamën,duke qenë të bindur se vetëm
ai do të sillte për Amerikën ndryshimet e
nevojshme.
Faktorë për fitoren e Obamës u bënë
amerikanët e rinj, brezi i viteve ‘90,
mbështetja e katolikëve (në mbi 54 për
qind), nga hebrenjtë u votua në masën
78 për qind, ai u votua në masë dhe nga
besimet e tjera jo protestante.
Të gjitha pakicat joevropiane e
mbështetën, rreth 70 për qind e latinoamerikanëve
e votuan atë. Ky mozaik
shumëngjyrësh, sipas demografëve, do
ta shndërrojë në pakicë popullsinë e
bardhë të SHBA nga mesi i shekullit XXI.
Madje dhe në Partinë Republikane, ylli
më premtues është indian - guvernatori
i Luizianës, Bobi Xhindall.
Ka dhe një faktor tjetër që ndikoi në
fitoren e Obamës. Nga e favorizuara e
makinës partiake Hilari Klinton, ai u konsiderua
si autsajder, por ishin pikërisht
nivelet e ulëta partiake, aktivistët e terrenit,
ata që i siguruan atij nominimin si
kandidat. Rezultoi se kur ka nevojë për
ndryshime të mëdha, pushojnë së vepruari
kufizimet tradicionale partiake dhe
mënyrat tradicionale të
sponsorizimit.Fushata e Obamës u financua
nga miliona amerikanë të zakonshëm
nëpërmjet internetit. Rezultat i tyre ishin
shumat prej qindra milionësh, të papara
ndonjëherë në historinë e
zgjedhjeve në Amerikë.Në një moment
të tillë, SHBA hodhën një hap drejt së
panjohurës. Po çfarë i pret ato?
Pa dyshim, zgjedhja e Obamës do të
thotë për SHBA lëvizje majtas. Vendi
ndodhet në krizë të madhe. Ky është
dështim i modelit amerikan të kapitalizmit.
Amerika ka nevojë për reforma në
frymën e atyre të kohës së Ruzveltit,
punë publike, forcim të rolit të shtetit në
ekonomi e një mbrojtje sociale më të
fortë. Në fushatën e tij, Obama premtonte
uljen e taksave për 95 për qind të
amerikanëve, por vetëm 5 për qind janë
amerikanët me të ardhura mbi 200000 $
në vit. Duket se në lojë është fati i SHBA.
Por a do ta luajë dot Obama rolin e dhënë?
Figura e tij u ngrit para së gjithash për
konsum të brendshëm. Diçka e tillë duhej
të ndodhte, meqë Amerikën e pret një
rënie e paparë dhe figura e tij thirret për
të zgjuar "entuziazmin e masave" në një
kohë të vështirësive serioze. Obama nuk
formoi ekip të vetin, por pranoi ekipin e
Bill Klintonit, i cili, në pjesën më të rëndësishme,
ishte krijuar nga Bushi i vjetër.
Tregues i kësaj është emërimi i kongresmenit
nga Çikago, Ram Emanuel, si shef
i aparatit në Shtëpinë e Bardhë. Ky funksion
në SHBA (por jo vetëm) është kyç për
Presidentin dhe administratën. Ram
Emanuel, vetëm gjashtë muaj para
zgjedhjeve, ndihmonte në shtabin e Hilari
Klintonit, ai ka dhe lidhje shumë të
afërta me Mossadin izraelit.
Llari Samërs, favoriti për shef të Financave,
ka punuar gjithashtu për Bill
Klintonin.Mbrojtja do të vazhdojë të jetë
në duart e Robert Gejtsit. Vetë zonja Klinton
mori postin e sekretarit të Shtetit, po
shtojmë këtu dhe drejtuesin e CIA-s. Kjo
do të thotë se gjithçka, ose më saktë pjesa
më e madhe e atyre që Obama proklamonte
gjatë fushatës parazgjedhore, duhet
të harrohet. Çështja e kthimit të opinionit
publik është çështje teknike dhe me
teknikën Amerika ka qenë gjithmonë
mirë. Qëllimi kryesor i politikës së jashtme
të SHBA do të jetë ruajtja e NATO-s.
Këtij synimi do t‘i shërbejnë të gjitha angazhimet
që lidhen me Evropën. Rënia
ose humbja e përmbajtjes së NATO-s do
të jetë disfatë kolosale gjeostrategjike për
SHBA. Ky është konteksti mbi të cilin
ngrihen edhe marrëdhëniet ruso-amerikane.
Duke gjallëruar figurën e "ariut
rus", amerikanët mbledhin frutat e frikës
së evropianëve, për të cilët një Rusi e fortë
është një tmerr i vërtetë. Vendosja e bazave
të SHBA në vendet e Evropës Lindore,
formalisht drejtohet kundër Rusisë,
realisht ato shërbejnë kundër interesave
të BE-së.
Për sa i takon Irakut, amerikanët
mund të tërhiqen ose jo prej andej, kjo
varet vetëm nga dëshira e tyre.
Në largim e sipër, Bush bëri hapin e
parë, por dhe më të rëndësishmin në
rrugën e reformave. Duke investuar 250
miliardë dollarë në banka, qeveria amerikane
mori paketën e kontrollit në nëntë
bankat më të mëdha të Amerikës. Nacionalizimi
i bankave dhe paniku rreth
krizës financiare është vetëm hapi i parë
i reformave që do të vijojnë.
Le të sjellim në vëmendje të lexuesit,
si argument për këtë që po themi se
ç‘ndodhi në Angli pas nacionalizimit të
bankave gjatë qeverisjes së Atllit. Në Angli
u nacionalizuan edhe degë kryesore
të ekonomisë mbas bankave.Të shohim
se a do të ndodhë kjo në SHBA me industrinë
e makinave. Nëse kjo ndodh, do të
thotë se kriza e tanishme gjithsesi është
e kontrollueshme dhe se SHBA, nëpërmjet
saj, shpresojnë të kalojnë në momentin
historik më të favorshëm për to.
Lind pyetja tjetër. A do të sjellë ndryshime
në gjeopolitikën e SHBA-ve
zgjedhja e Obamës si President?
Politika e Bushit nuk gëzoi asnjëherë
popullaritet, jo vetëm në botë, por madje
as midis amerikanëve. Në dy mandatet e
tij, zunë vend ngjarje të tilla si 11 shtatori,
ndërhyrja e armatosur në Afganistan
e më pas në Irak. SHBA, në këto dy mandate
të Bushit, nuk mundën të ndalnin
as ecjen para të BE-së, Kinës, Indisë dhe
Rusisë, por as edhe krizën globale
ekonomiko-financiare, shkaktarë të së
cilës ishin vetë SHBA.
Nga ana tjetër, rruga e Obamës drejt
Shtëpisë së Bardhë kishte filluar të hapej
në këto dy mandate, nga vetë Bushi. Po
përmendim këtu vetëm emërimet që ai
kishte bërë për në postet më të larta të
administratës së tij, të Kolin Pauellit e
Kondoleza Rajsit.
Pra realisht, duke marrë në konsideratë
ndikimin gjithnjë e më të madh të
faktorit afro-amerikan në jetën e SHBA,
neokonservatorët e Bushit bënë aleancë
politike me ta. Demokratët ishin ata që e
luajtën këtë kartë dhe Obama fitoi.
Edhe një faktor tjetër ndikoi në zgjedhjet
e fundit në SHBA, ai latino-amerikan.
Prirja e Amerikës Latine për të ulur
ndikimin e SHBA dhe fitoret e përfaqësuesve
të popullsisë vendase si Çaves
apo Morales, aktivizoi latinët edhe brenda
SHBA. Lidhur me gjallërimin potencial
të marrëdhënieve ruso-amerikane,
në kuadrin e projekteve për stabilitetin
strategjik, mund të thuhet sa vijon: Mbas
rënies së sistemit bipolar në fillim të
viteve ‘90, SHBA-ve ju paraqit rasti unikal
për të realizuar ëndrrën e tyre shekullore
për sundim botëror. Që në vitin
1992, deklaruan se nuk do të lejojnë më
që në hapësirat e ish- BS, por jo vetëm atje,
të shfaqet ndonjë shtet i cili do të mund
të kërcënonte interesat e tyre. Menjëherë
vunë në funksionim mekanizmin e shkatërrimit
të forcave të armatosura ruse
dhe elementin kryesor të tyre, arsenalin
strategjik bërthamor, nëpërmjet reduktimit
jo të balancuar të tij dhe të presionit
të ushtruar në reformimin e ushtrisë
ruse.
Kur potenciali ushtarak rus filloi të
binte me shpejtësi, amerikanët dolën
nga marrëveshja e vitit 1972 mbi
mbrojtjen antiraketore, duke zhvilluar
programin e mbrojtjes antiraketore në
shkallë globale dhe duke avancuar përpara,
në të gjitha llojet e armatimeve. Kjo
u bë në sfondin e zgjerimit të NATO-s me
shtete dikur aleate të Rusisë, kundër interesave
të saj.
Prioritet i elitës amerikane ka qenë
dhe mbetet pozicioni lider i SHBA në
botë. Nuk ka mënyrë tjetër mbijetese për
këtë supershtet, qoftë edhe si njëri prej
poleve të botës së re. Formula e kësaj
mbijetese është sigurimi i aksesit me rajonet
kyçe të botës, komunikacionin
strategjik dhe resurset globale. Kjo do të
thotë detyrimisht kontroll mbi Rusinë, e
cila i zotëron që të tre këta elementë dhe
potencialisht mund të bëhet poli i dytë
në botë, si alternative e atij anglosakson.
Në Uashington dhe në Londër e dinë
shumë mirë se në rast dobësimi të pozicionit
global të SHBA, e para që del jashtë
kontrollit është Evropa, e mbas saj të
gjitha shtetet me peshë në skenën
botërore. Mbas kësaj, do të vijonte rënia
e SHBA si shtet anglosakson, latinoamerikan
dhe afro-amerikan.
Kjo është arsyeja që asnjë Obamë nuk
mund të cenojë strategjinë gjeopolitike
të SHBA. Edhe sikur të tentonte, nuk do
ta lejonin strukturat financiare që e çuan
deri në postin e Presidentit në 4 nëntorin
e vitit të kaluar.
Për këto struktura është e një
rëndësie të jashtëzakonshme ruajtja e
pozicionit si lider global i SHBA, me një
pamje tjetër, të ndryshme nga ajo e imperializmit
tradicional. SHBA kanë
nevojë për një dozë tjetër steroidesh,
për të arritur likuidimin përfundimtar të
konkurrentëve. Nga kjo pikëpamje,
Obama do të udhëheqë një regjim marionetë
dhe na paraqitet si një figurë
shumë kontradiktore. Është fare e qartë
se mbas parullës së tij "Ndryshim" nuk
do të ketë asgjë. Ai është më tepër një
krijim i poli-teknologëve, që po e
shndërrojnë atë në sytë e masave, në një
simbol të ndryshimit.
Është më tepër se e dyshimtë, se senatori
pa përvojë do të ndryshojë
rrjedhën e historisë për vetë SHBA. Përmasat
e krizës me të cilën po ndeshet
vendi janë të mëdha. I gjithë sistemi
politik dhe ekonomik amerikan është
afër kolapsit.
Kriza e tanishme ose është e fundit e
sistemit kapitalist botëror ose do të jetë
një rrënim fundamental, mbas të cilit do
të vijojnë korrektimet dhe një valë akoma
më e madhe drejt globalizimit dhe
virtualizimit.Nëse kjo krizë është e fundit,
ne do të jemi dëshmitarë të kolapsit
global dhe kthimit në sistemet socialekonomikë
paraardhëse në disa rajone
të botës.Nëse kriza kalohet pa dalë nga
korniza teorike dhe praktike e kapitalizmit,
botën e presin konflikte të mëdha
të armatosura ose katastrofa të tjera që
do të largojnë vëmendjen e njerëzimit
nga zbulimi i humnerës para së cilës
ndodhet.Parë nga ky këndvështrim,
nuk ka asnjë rëndësi se cili është qiraxhiu
i 44 i Shtëpisë së Bardhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›