E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama pas fitores se Klinton

Kandidati demokrat për President Barak Obama thotë se nuk ka në plan të shtojë retorikën negative ndaj rivales së tij Senatores Hillari Klinton, në vazhdim të fushatës presidenciale. Obama hodhi poshtë një artikull të gazetës "Uashington Post", ku thuhet se ka gjasa që ai të zhvillojë një fushatë më agresive dhe negative. Ai tha se ka në plan të vazhdojë me një ton të njëtrajtshëm fushatën, ku të diskutojë mbi çështje me rëndësi për votuesit në Karolinën e Veriut ku më 6 maj zhvillohen zgjedhjet paraprake. Kandidatja demokrate për presidente Hillary Klinton siguroi një fitore me 10 pikë diferencë në zgjedhjet e mbrëmshme paraprake në Pensilvani. Klinton thotë se fitorja e saj në Pensilvani tregon se ajo mund të fitojë ndaj kandidatit republikan Xhon Mekein në nëntor. Klinton  tha se sondazhet e bëra me zgjedhësit pas votimeve të djeshme tregojnë se ajo mund ta sigurojë bazën zgjedhore të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Në komentet që bëri mbrëmë në shtetin Indiana, Obama përgëzoi zonjën Klinton për fitoren. Ai më pas i përqendroi komentet mbi kandidatin republikan John McCain, duke thënë se ai nuk do të ofronte ndonjë ndryshim nga politikat e Presidentit Bush, veçanërisht në lidhje me Irakun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›