E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohen monedhat e Artemisës

Koleksioni Monedhat rrezikoheshin nga korrozioni

Ka përfunduar restaurimi i 50 monedhave të fundit të koleksionit prej 675 copësh të zbuluara në sanktuarin e Artemisës në Durrës. Një sërë objektesh arkeologjike u zbuluan në këtë sanktuar gjatë ekspeditës së vitit 1970. Gjashtë vjet më parë filloi puna për studimin dhe botimin e materialeve të zbuluara në këtë sanktuar në kuadrin e një projekti të përbashkët midis Institutit të Arkeologjisë dhe universitetit “Sharl de Gol” i Lilit në Francë. “Laboratori ynë punoi për restaurimin e monedhave. Puna u shtri në pesë vjet, duke hasur në vështirësitë që karakterizon restaurimi i objekteve metalike të zbuluara në Durrës për arsye të afërsisë së detit dhe pranisë së madhe të kripës, e cila nxit korrozionin. Për më tepër, ato janë lënë pa u restauruar për një periudhë 30-vjeçare”, shprehet Frederik Stamati, drejtuesi i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë pranë QSA-së. Rreth 155 copë nga koleksioni i këtyre monedhave, ato të ruajturat më mirë, u studiuan dhe u botuan nga i ndjeri Halil Myrto. Studimi i plotë i pjesës tjetër do të realizohet nga prof.dr.Shpresa Gjongecaj, numizmate, drejtoreshë e Institutit Arkeologjik, pranë Qendrës së Studimeve Arkeologjike.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›