E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama takon Dalai Lamën në Zyrën e Hartave

Autori i Lajmit: Redaksia

Uashington - Presidenti amerikan, Barak Obama, mbajti të enjten takimin e shumëpritur me liderin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama, duke i anashkaluar thirrjet e vazhdueshme të Kinës për të mos e pritur murgun në azil. Mbështetësit brohorisnin dhe mbanin të ngritur lart flamujt tibetianë dhe ata amerikanë, në sheshin Lafayette përgjatë Shtëpisë së Bardhë, për ta mirëpritur Dalai Lamën, i cili deri më tani ishte takuar me secilin president amerikan që nga Xhorxh Bushi më 1991. Në një axhendë delikate për të shmangur përkeqësimin e marrëdhënieve me Pekinin, Obama i kushtoi kolegut të tij, po ashtu fitues të çmimit Nobel për paqe, një ambient të përshtatshëm ceremonial në vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë. Kamerat nuk ishin lejuar në pallatin presidencial, kur Obama dhe Dalai Lama nisën bisedimet në Dhomën e Hartave – jo në zyrën Ovale, raportoi agjencia “Reuters”. Sidoqoftë, Kina kundërshton çdo kontakt të huaj për liderin budist 74-vjeçar, i cili u largua nga vendlindja e tij e kontrolluar nga Kina në vitin 1959 dhe u vendos në Indi. Që atëherë ai ka siguruar një mbështetje entuziaste globale për mësimet e tij shpirtërore. Obama kishte shmangur Dalai Lamën, kur lideri tibetian ndodhej për vizitë në Uashington vitin e kaluar, mirëpo kësaj radhe i shpërfilli thirrjet kineze. “Dalai Lama është një lider fetar i respektuar ndërkombëtarisht. Ai është një zëdhënës për të drejtat e tibetianëve”,- theksoi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs. Hollësi të mëtejshme për përmbajtjen e takimit nuk janë publikuar, ndërsa qëndrimi i Dalai Lamës në Shtëpinë e Bardhë do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme. I dërguari special i Dalai Lamës tha se është shumë e rëndësishme që takimi po ndodh. Sipas tij, Dalai Lama do ti kërkojë bashkëbiseduesit gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Tibetit që të jetë në favor të popullit tibetian dhe atij kinez. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Gibs, javën e kaluar mbrojti vendimin për të pritur Dalai Lamën, duke e cilësuar një udhëheqës të respektuar ndërkombëtar. Udhëheqësi shpirtëror do të bisedojë edhe me sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton.
Ky lajm është publikuar: 19/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›