E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita Delegacioni i KE-së, ja axhenda e plotë e takimeve

Autori i Lajmit: Redaksia
Delegacioni i Lartë i Këshillit të Evropës do të mbërrijë në Shqipëri që ditën e diel për të qenë gati më tej të hënën në mëngjes kur do të nisë dhe axhenda e ngjeshur e takimeve. Mësohet se takimi me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, do të shënojë dhe nisjen e këtyre bisedimeve për të vazhduar më pas me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrin Sali Berisha, Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe më tej përsëri me presidentin Topi. Të martën delegacioni do të përcjellë dhe për median konkluzionet e këtyre takimeve. Delegacioni i KE-së do të drejtohet nga kreu i sapozgjedhur, Asamblesë, Mevlüt Çavusoglu.
Axhenda e plotë
Në draftprogramin e delegacionit të KE-së parashikohet mbërritja e delegacionit që kryesohet nga kreu i Asamblesë Parlamentare të dielën në aeroportin “Nënë Tereza” dhe akomodimi tek Hotel Rogner. Në 22 shkurt në orën 09:15 minuta të mëngjesit, delegacioni prej rreth 10 vetash do të takohet për një orë me presidentin Bamir Topi. Takimi i dytë në radhë do të pasojë me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, për të vijuar më tej me kryeministrin Berisha në orën 11:45 minuta. Delegacioni ka në dispozicion rreth 2 orë të lira dhe në orën 15:15 minuta zyrtarët e lartë të Këshillit të Evropës, do të ndalen tek selia rozë, ku do të priten nga kreu i opozitës, Edi Rama. Palët kanë 90 minuta kohë për të dëgjuar njëra-tjetrën, por sidomos pretendimet e socialistëve për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, çka do ti kthente ata në Parlament. Në orën 17:00 deri në 18:00, delegacioni i Asamblesë Parlamentare do të ketë një takim përmbledhës me Kreun e Shtetit, i cili ka marrë përsipër rolin e arbitrit për të zgjidhur krizën politike. Ditën e martë, misioni i KE-së do të ketë një konference për shtyp në orën 10:30, për të shprehur konkluzionet e vizitës. Burime diplomatike thonë se delegacioni nuk do të udhëtojë drejt Tiranës me një propozim konkret, por për të ushtruar gjithë presionin mbi palët, për të rikthyer normalitetin politik e institucional.
Përbërja e delegacionit
Është vetë presidenti i kësaj Asambleje, Mevlüt Çavusoglu, që do të udhëtojë drejt Tiranës, gjë që tregon angazhimin e madh dhe serioz për zgjidhjen e krizës politike. Bazuar në pikat e rezolutës së miratuar nga Asambleja e Këshillit të Evropës, Çavusoglu, kreu i grupit të djathtë Luka Volonte, shefi i socialistëve të Asamblesë, Andreas Gross, Anne Brasseur nga liberalët dhe Tiny Cox nga e Majta e Bashkuar Evropiane si dhe dy raportuesit, David Uilshire dhe Jaako Laakso, do të hedhin ndoshta hapin përfundimtar në zgjidhjen e krizës politike në vend. Vizita e tyre është një përgjigje ndaj kërkesës së Asamblesë në Rezolutën e saj për të "mbështetur procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe të asistojë presidentin Topi në rolin e tij si mediator dhe në përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik".
Ky lajm është publikuar: 21/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›