Obama urdhëron mbylljen e Guantanamo-s

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka urdhëruar mbylljen e burgut të Guantanamos brenda vitit. Barak Obama ka nënshkruar urdhërin ekzekutiv për mbylljen e qendrës së paraburgimit në Guantanamo Bei, Kubë, brenda vitit 2009-të. Pas ceremonisë së nënshkrimit, Obama tha se ky hap do t'i sjellë përpjekjet antiterroriste të Shteteve të Bashkuara në një vijë me vlerat amerikane. "Mesazhi që po dërgojmë në mbarë botën është se Shtetet e Bashkuara synojnë të ndjekin luftën aktuale kundër dhunës dhe terrorizmit. Këtë luftë do ta bëjmë me vigjilencë dhe me efikasitet, dhe do ta bëjmë në mënyrën që është e përputhshme me vlerat tona", deklaroi presidenti i SHBA-së Obama. Presidenti i ri amerikan gjithashtu pritet që të japë disa urdhëra të veçantë për të ndaluar teknikat abuzive të hetimit dhe për të rishikuar rastet e të dyshuarve për terrorizëm. Gjatë fjalës së tij, Obama ka shtuar se CIA nuk do të përdorë më metoda të marrjes në pyetje që nuk janë parashikuar nga Pentagoni dhe që konsiderohen si tortura. Barak Obama ka theksuar se ndalimi i torturave ndaj të burgosurve në burgjet e Shteteve të Bashkuara tregon respektimin e Konventës së Gjenevës. Obama ka premtuar mbylljen e burgut, në të cilin ndodhen rreth 250-të të burgosur që akuzohen për lidhje me terrorizmin. Burgu i Guantanamos shihet si njollë në dosjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Më herët, gjatë ditës së mërkurë, me kërkesë të presidentit Obama, gjykatësit pezulluan disa gjykime ushtarake në Guantanamo.