E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama uron Berishën: Pres me padurim të punojmë

Presidenti i SHBA, Obama uron Kryeministrin shqiptar Berisha për rizgjedhjen e tij si kryeministër i Shqipërisë. Ndër të tjera Obama shprehet se “SHBA vlerësojnë lart marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë" 

TIRANE-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama shprehet se mbetet i angazhuar të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë shqiptare. Mesazhi u bë i ditur pas takimit që Kryeministri Berisha pati sot me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Z. Xhon L. Uidhërs II, i cili i dorëzoi Kryeministrit Berisha mesazhin e urimit të Presidentit Obama për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe formimin e qeverisë së re.
Në mesazhin e tij drejtuar Kryeministrit Berisha, Presidenti Obama shkruan se “I dashur Kryeministër, ju lutem pranoni përgëzimet e mia për rikonfirmimin e mandatit tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Pres me padurim të vazhdoj të punoj së bashku me ju për të promovuar lirinë dhe mirëqenien në të gjithë botën. Për mua ka qenë një nder i madh që së bashku me udhëheqësit e tjerë të vendeve të NATO-s të mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtarët më të rinj të Aleancës në samitin e Strasburg-Kehlit, në fillim të këtij viti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në shtrirjen e paqes e stabilitetit në botë. Mbetem i angazhuar të vazhdoj bashkëpunimin me ju dhe të përkrah aspiratat Euroatlantike të vendit tuaj”, thuhet në mesazh.

Ndër të tjera Obama shprehet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë lart marrëdhëniet e ngushta e miqësore me Shqipërinë. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm do t’i konsolidojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve tona. I uroj qeverisë suaj dhe juve personalisht sukses të plotë në mandatin e ri qeverisës si Kryeministër. Sinqerisht,
Barack Obama”, përfundon mesazhi I Obamës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›