Obama vizitoi Joplinin
Presidenti amerikan, Barack Obama, vizitoi qytetin Joplin në Misouri, ku 142 persona kanë gjetur vdekjen dhe 40 të tjerë ende figurojnë të zhdukur, pas serisë së stuhive, të cilat shkatërruan qytetin. Presidenti përcolli një porosi ngushëllimi dhe shprese në një ceremoni përkujtimore për ata që gjetën vdekjen.
Njerëzit kapërcyen pirgje me copa mobilesh të shkatërruara, makina të dëmtuara dhe mbetjet e shtëpive të shembura për të shtrënguar duart me presidentin. Obama shprehu ngushëllimet e tij dhe fjalë inkurajimi gjatë vizitës së tij.
Ka kaluar një javë që kur Joplin u godit rëndë nga një tornado, me erëra me shpejtësi 300 km/ orë, që shembi shtëpi dhe shkatërroi jetët e banorëve.
Pasi mori fjalën në një ceremoni mortore për ata që gjetën vdekjen në Joplin, presidenti u përshëndet me duartrokitje të forta dhe me shprehje dashurie nga turma. Presidenti u përgjigj në të njëjtën frymë: "Edhe unë e dua qytetin Joplin”.
Obama u tha të pranishmëve se sapo të kapërcehet tronditja nga katastrofa, banorët mund ta ndjejnë veten të braktisur. Ai u zotua se kjo nuk do të ndodhë.
"Nuk kam asnjë dyshim në mendje se Joplin do të rindërtohet. Si president, ju premtoj se vendi do të jetë me ju në çdo hap të këtij procesi. Nuk do t’ju braktisim”, theksoi Obama.