E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE shton trysninë ndaj Greqisë

Nga Express më 30 maj 2011 në ora 13:00

Pak ditë para marrjes së vendimit për pagesën e ndihmave të tjera për Greqinë e futur thellë në borxhe, komisionari i BE-së për monedhën, Olli Rehn, kërkoi një marrëveshje të shpejtë për masat e nevojshme të kursimeve.

Rehn tha për gazetën "Die Welt" se nuk ka më kohë për negociata të stërzgjatura. Tani është e domosdoshme që të gjitha partitë politike, edhe partitë opozitare të sillen në mënyrë "konstruktive".

Ato duhet të vendosin për programin e reformave të kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Reformat ekonomike dhe programi i kursimeve janë njëkohësisht një "provë" për të gjithë shoqërinë greke, tha Rehn.

Ministri grek i Financave, Jorgos Papaconstantinu u shpreh i sigurt për dhënien e këstit të kredisë nga BE-FMN, destinuar shmangies së falimentimit, duke hedhur poshtë një artikull të publikuar nga e përjavshmja gjermane ''Der Spiegel'', që vë në dyshim zhbllokimin e kësaj shume.

"Negociatat me treshen, misionin trepalësh i ngarkuar me monitorimin e llogarive greke nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, po vazhdojnë dhe do të përfundojnë ditët e ardhshme'', konfirmoi Papaconstantinu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›