E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngricat, u dërgohen ushqime 6 mijë banorëve

08/01/2009  Helikopterët fluturuan drejt zonave të izoluara të Kelmendit dhe Iballës

SHKODER- Mëngjesi i ditës së djeshme ka shënuar fluturimet e para të helikopterëve me ndihma drejt zonave të izoluara nga dëbora në malësitë e qarkut të Shkodrës.

Ndihmat

Helikopterët janë drejtuar dje drejt komunës së Kelmendit dhe asaj të Iballës, që janë dhe dy nga komunat më problematike të këtij qarku. Pas kthimit të helikopterëve, prefekti i qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, bëri të ditur se faza e parë e operacionit të dërgimit të ndihmave në zonat e bllokuara nga dëbora përfunduan me sukses. Në komunën e Kelmendit dhe të Iballës janë dërguar ndihma me ushqime, medikamente dhe veshmbathje. Ndërkohë në fshatin e largët e të thellë malor Vermosh të komunës së Kelmendit trashësia e dëborës ka arritur mbi 1 metër, duke sjellë bllokimin e 4 fshatrave me mbi 4 mijë banorë. Kjo ka sjellë vijimin e punës së ndërmarrjeve të rrugëve për zhbllokimin e akseve të mbuluara nga sasi të mëdha dëbore dhe akulli.

Rrugët

Në bazë të informacioneve të ditës së djeshme në komunën e Kelmendit në vendin e quajtur “Gropat e Selcës” e deri në Vermosh trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër, ndërsa në aksin që lidh Shkodrën me Dukagjinin problematik mbetet pjesa nga fshati Kir i komunës Pult, deri në fshatin Lotaj të komunës Shalë, përmes Malit të Shoshit, ku rruga është e ngrirë dhe ka rrezik rrëshqitje nga akulli. Shërbimi mjekësor në zonën e Dukagjinit ofrohet pa probleme, pasi ka mjekë të zonës. Problematike paraqitet situata në Vermosh, sepse largësia nga qendra e komunës Kelmend, në fshatin Tamarë është 50 kilometra dhe e pa kalueshme. Në këtë zonë banorët shfrytëzojnë kalimin në Plavë e Guci të Malit të Zi përmes pikës kufitare për të kryer vizitat mjekësore. Kryetari i Bashkisë së Pukës, Rustem Struga, ka bërë të ditur se dje në këtë qytet situata është normalizuar, pas rreth 5 ditë problemesh të shkaktuara nga reshjet e dendura të dëborës, temperaturat shumë të ulëta dhe era e fortë. Ndërkohë probleme të shkaktuara nga dëbora vazhdojnë të jenë evidente në komunën Iballë dhe fshatin Qelëz të rrethit Pukë, ku është bllokuar aktiviteti dhe lëvizja e banorëve. Në këto kushte helikopterët kanë dërguar ndihma për banorët e këtyre zonave, pasi aty ndodhen të izoluar rreth 6 mijë banorë. Nga ana tjetër informohet se në rrethin e Shkodrës, të bllokuara mbeten vetëm rrugët rurale Bogë- Thethë dhe Prekal-Mali i Shoshit. Në rrethin Malësi e Madhe, e bllokuar mbetet rruga Tamarë – Vermosh. Në rrethin e Pukës rrugët nacionale Pukë – Fushë-Arrës, Qafë-Mali – Kukës, janë të kalueshme, me zinxhirë. Aksi Qafë-Mali – Fierzë, është me një kalim dhe kalohet vetëm me zinxhirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›