E Diel, 1 Nëntor 2026

Oerd Bylykbashi: Kodi favorizon atë që merr më shumë vota

Oerd bylykbashi, një nga ekspertët e hartimit të Kodit të ri Zgjedhor, mendon se kodi nuk është hartuar duke pasur parasysh interesat elektorale të ndonjë partie, por është zgjedhur rruga më korrekte për ndarjen e mandateve. Duke folur për “standard”, ai mendon se ndarja e mandateve sipas numrit të popullsisë nuk favorizon asnjë subjekt politik. Eksperti i PD-së thotë se sistemi favorizon atë që merr vota më shumë. I pyetur se duke pasur parasysh se e majta në Shqipëri ka pasur më shumë vota historikisht në jugun e Shqipërisë dhe duke pasur parasysh se numri më i madh i mandateve është në jugun e vendit, për Bylykbashin, ky arsyetim është paragjykues. “Kjo që thoni, është paragjykim, pasi nuk mund të themi se kush ka vota më shumë pa u provuar. Por sistemi favorizon atë që merr vota më shumë”, - tha Bylykbashi. Duke mos dashur të komentojë politikisht, ai thekson se ai është ekspert ligjor për kodin. Por ai shton më tej se sistemi aktual nuk favorizon askënd, duke e nxjerrë këtë si një anë tepër pozitive të kodit aktual. Pavarësisht se një pjesë e shohin këtë kod si favorizues të së majtës, nga ana tjetër, për të djathtët garancia është sistemi. Duket se me këtë kod, dhe kjo pranohet nga të dyja palët, bastionet politike bien. Logjika e thjeshtë në këtë kod është se nuk ka rëndësi se si janë ndarjet historike apo mentale në një qark të caktuar, por rëndësi ka që kush merr edhe 1 votë më shumë në një qark të caktuar, sistemi do t’i dhurojë fitoren. Ndarja e mandateve sipas formulës D’Hond, qetëson të dyja palët e mëdha. Bastionet politike bien dhe konkurrenca për çdo votë më shumë do të rritet në maksimum. Pavarësisht kësaj, të dyja palët përsëri bëjnë edhe llogari duke u mbështetur në historinë 18-vjeçare të pluralizmit në Shqipëri. E djathta e ndien veten të fortë në veri si dhe të avantazhuar në Shqipërinë e Mesme. E majta e ndien veten të fortë në jug, por kërkon të punojë më shumë në Shqipërinë e Mesme. E me sa duke, Tirana dhe Durrësi do të jenë fushë-betejat e pushtetit politik në vitin 2009. Me sistemin e ri duke se palët do të balancojnë njëra-tjetrën, me jugun dhe veriun. E majta mund të marrë pak më shumë në jug, e djathta pak më shumë në veri, por gjithë diferencën do të bëjë Shqipëria e Mesme. “Kush fiton Tiranën, ka fituar pushtetin”, - shprehen off-record mjaft politikanë të të dyja krahëve politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›