Parlamenti, debat deri në 5 të mëngjesit, shtyhet votimi për buxhetin
Parlamenti mbylli në orët e para të ditës së premte një debat tepër të gjatë për projektbuxhetin e shtetit të vitit 2009. Pa llogaritur diskutimet e mëngjesit të kaluar, seanca parlamentare e mbrëmjes, që vazhdoi mbi 12 orë pa ndërprerje, sepse diskutuan 75 për qind e deputetëve, u mbyll rreth orës 5 të mëngjesit pa një votim formal për buxhetin e ri. Kryetarja e Parlamentit e mbylli seancën e debatit pak minuta pasi deputetët socialistë të opozitës u larguan nga salla, në shenjë proteste ndaj “demagogjisë së mazhorancës me këtë projektbuxhet”, - siç thanë ata. Qeveria ka planifikuar të kryejë vitin e ardhshëm 383 miliardë lekë shpenzime, ndërsa të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga taksat, mund të arrijnë në 333 miliardë lekë, pra një deficit rreth 4 për qind. Qeveria ka planifikuar një fond rezervë prej 15.7 miliardë lekësh për të përballuar goditjet e mundshme nga kriza ekonomike botërore. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se me buxhetin e vitit 2009 është programuar rritje rrogash dhe pensionesh deri në 50 për qind. Sipas tij, “ky është buxheti i punonjësve me paga të ulëta, sepse nga kjo rritje do të përfitojnë 520 mijë pensionistë dhe do të mbështetet ekonomia e rreth 800 mijë familjeve”.