Oettinger: BE mbështet projektin, burim i rëndësishëm për furnizimin e Evropës më gaz
BE dhe SHBA përshëndesin marrëveshjen politike të TAP
Bashkimi Evropian ka përshëndetur marrëveshjen politike mes të tre vendeve partnere në ndërtimin e gazsjellësit TAP, Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë duke e parë atë si një hap drejt gjetjes së mundësisë më të mirë për të sjellë direkt gazin nga Kaspiku drejt Evropës. Pas marrëveshjes të nënshkruar në Nju Jork nga tre kryediplomatët e Shqipërisë, Panariti, atij italian Terzi dhe palës greke Avramopoulos, Bashkimi Evropian ka reaguar përmes komisionerit për Çështjet Energjetike, Gunther Oettinger.
Sipas komisionerit nënshkrimi i memorandumit është një tjetër hap i rëndësishëm drejt qëllimit të BE për të marrë gazin direkt nga rajoni i Kaspikut. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të BE, Oettinger ka komentuar se marrëveshja politike do të mundësojë që procedurat për aprovimin përfundimtar si nga BE ashtu edhe nga qeveria e Azerbajxhanit do të shkojnë përpara në detaje dhe do t’i hapë rrugën marrëveshjes ndërqeveritare mbi kuadrin ligjor për këtë projekt të rëndësishëm.
“Ky është një hap i rëndësishëm për transportimin e gazit rajoni i Kaspikut, drejt Evropës. Nënshkrimi i marrëveshjes politike mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë i çel rrugë studimit të projektit. Marrëveshja përcakton kornizën ligjore për rrjetin e gazsjellësit TAP”, u shpreh komisioneri Oettinger.
Ndërkohë firmosja e marrëveshjes së mirëkuptimit mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë është vlerësuar edhe nga SHBA.
I dërguari special dhe koordinatori për çështjet ndërkombëtare të energjisë Karlos Paskual, përmes një deklarate e konsideron marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e projektit.
“Marrëveshja e Mirëkuptimit që u firmos sot nga Shqipëria, Greqia dhe Italia është një hap i rëndësishëm para në zhvillimin e projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). TAP është një nga dy projektet [tjetri i quajtur Nabuco Perëndimor] që konkurrojnë për përcjelljen e gazit në Evropë nëpërmjet të ashtuquajturit Korridor Jugor. Korridori Jugor do të përcjellë gaz, fillimisht nga fusha e Shah Deniz në Azerbajxhan, nëpërmjet Gjeorgjisë dhe Turqisë drejt Evropës. Korridori Jugor do të sjellë një burim të ri të furnizimit me gaz në Evropë, një qëllim që Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht. Shumë vende evropiane varen kryesisht ose tërësisht nga një furnizues i vetëm energjie, dhe ne njohim rëndësinë që këto vende i japin të pasurit akses në burime energjie dhe rrugë transporti të ndryshme”, deklaron Paskual.
Në fillim të vitit 2012, TAP është përzgjedhur nga Konsorciumi Shah Deniz në Azerbajxhan si transporti më i preferuar i gazit drejt Europës. Gjithsesi sipas KE, cili do qoftë vendimi përfundimtar për një apo më shumë tubacione, e sigurt është që do të ketë një sistemi të pandërprerë të tubacioneve të cilët do të ndërtohen nga deti Kaspik drejt Evropës. Në janar të vitit 2011, presidenti i KE, Hose Manuel Barroso dhe komisioneri për energjinë Ottinger vizituan Bakun dhe së bashku me presidentin Ilham Aliev ranë dakord se Azerbajxhani do të jetë kontribuuesi themelor dhe nxitës për furnizimin me gaz në të ardhmen të Evropës nga deti Kaspik.