Oferta Presidenciale
Presidenca e Kosovës duket se ka një qasje më ndryshe se institucionet e tjera për çështjen e Veriut.
Pavarësisht se kjo temë pritet të trajtohet në bisedimet Kosovë – Serbi, formati i të cilave pritet të definohet nga Brukseli, në Zyrën e Presidentes janë treguar më të shpejtë.
Aty konsiderojnë se njerëzit që janë zgjedhur për të udhëhequr Veriun me shumicë serbe, janë përfaqësues legjitimë pavarësisht se zgjedhjet që janë zhvilluar atje autoritetet e Kosovës i kanë shpallur ilegale.
Madje në Presidencë nuk shohin ndonjë telash për këtë, pavarësisht se kryetarët e komunave janë aktivë në bllokimin e Veriut, duke përfshirë vendosjen e barrikadave dhe përballjen e dhunshme me ushtarë të KFOR’it.
Por e tërë kjo është relativizuar nga Ramush Tahiri, Këshilltari i Lartë i Presidentes Atifete Jahjaga, sipas të cilit, pikërisht këto struktura kanë kontribuar që Veriu të shpëtojë nga anarkia.
Tahiri në një emision në gjuhën serbe të KiM Radio ka thënë se në pjesën veriore të Kosovës nuk ka institucione kosovare.
Sipas Tahirit, pavarësisht se strukturat e atjeshme konsiderohen paralele, ato janë legjitime, pasi janë zgjedhur nga populli që jeton atje.
“Ne zakonisht flasim se në pjesën veriore nuk funksionon ligji, se dominojnë bandat, strukturat paralele, megjithatë, kjo nuk është ashtu, sepse ne nuk kemi atje struktura të tjera legjitime. Ne themi se ato janë paralele, por ne nuk kemi institucione kosovare dhe ato janë te vetmet dhe realet”, ka thënë Ramush Tahiri, Këshilltari i Presidentes Jahjaga.
Madje Tahiri ka thënë se këto struktura e kanë shpëtuar Veriun nga anarkia.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...