Premi për humbje!

Llamkos Kosova edhe të mërkurën i zhgënjeu shikuesit e vet, sepse nga duart ia mori fitoren Hajvalia.
Në fakt, vushtrriasit ishin në avantazh prej 3:1, mirëpo Hajvalia në mënyrë sensacionale ia doli që, përveçqë ta shkrinte disavntazhin, edhe ta fitojë duelin me rezultat përfundimtar, 3:4 – gjë që nuk e prisnin tifozët vushtrrias, të cilët edhe një herë u zhgënjyen nga skuadra e tyre, e cila deri më tash nuk ka mundur të fitojë më shumë sesa një duel, prej tetë xhirove të zhvilluara.
Andaj, nëpër Vushtrri ishin përhapur thashethemet kinse kryesia e klubit do t’i dënojë lojtarët për gabimin e bërë. Por, këtë e ka përgënjeshtruar drejtori sportiv i Llamkos Kosovës, Ismet Munishi.
Madje, Munishi ka paralajmëruar se kryesia e klubit do t’ua japë nga një premi futbollistëve të vet për lojën e bukur që e kanë demonstruar përballë Hajvalisë, pavarësisht humbjes befasuese.
“Ajo ishte ndeshja më e mirë që unë e kam parë ndonjëherë në futbollin kosovar në këto dhjetë vitet e fundit. Ishte lojë fantastike, shumë emocionuese, në të cilën u shënuan shtatë gola. Ekipi ynë aplikoi futboll fenomenal, por këtë e ka futbolli, nganjëherë humb edhe kur luan shumë mirë. Unë i përgëzoj lojtarët për paraqitjen e bërë ashtu siç duan tifozët e tyre dhe kryesia e klubit”, tha Munishi për Express.
“Nuk është e vërtetë që kemi menduar t’i dënojmë. Si t’i dënojmë kur lojtarët treguan paraqitje shumë të mirë. Përkundrazi, për atë paraqitje jemi duke menduar t’ua japim nga një premi. E meritojnë dhe këtë sipas të gjitha gjasave, do ta bëjmë në mbledhjen e radhës së kryesisë së klubit”, theksoi ai.
Llamkos Kosova është zhytur në krizë të thellë të rezultateve, ngase deri më tani e ka shënuar vetëm një fitore, krahas tri barazimeve e katër humbjeve, duke u pozicionuar në vendin e parafundit të tabelës me vetëm 6 pikë.