Oferta e kuqezinjve për Xhekon: 25 mln euro plus Huntelar

Deri në qershor 2010, Milani do të ketë pamjen e një kantieri ndërtimi: punimet në radhët e kuqezinjve, për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes, nisin në merkaton e janarit dhe do të përfundojnë në fund të këtij edicioni futbollistik. Përveç Xhekos, Krasniç e Mongongut që shihen si përforcime të mundshme për kontingjentin e Leonardos, po studiohen të gjitha opsionet edhe për “lehtësimin” e skuadrës. Në gjashtë muajt e ardhshëm janë plot 12 lojtarë që mund të bëjnë gati valixhet dhe të largohen nga Milanelo. Gjithçka nis nga reparti i portierëve. Janë katër “gardianë” të “Djallit” që mund të ndryshojnë fanellë dhe gjithçka rrotullohet te rinovimi i Nelson Didës. Nëse braziliani do të vazhdojë aventurën me klubin që ka fituar më shumë trofe në botë, Abiati, Storari dhe Roma mund të transferohen në një tjetër skuadër. Drejtuesit e Milanit i kanë hapur “dritën jeshile” Storarit që të kërkojë një ekip ku mund të luajë në formë huazimi nga janari deri në fund të kampionatit. Për të interesohen Xhenoa dhe Livorno. Kjo lëvizje do të bëjë që Abiati të jetë zëvendësuesi i Didës, në pritje të shansit që të bëhet numri 1. Debutimi i tij sezonal (ishte dëmtuar më 15 mars 2009) pritet të realizohet më 13 janar, kur Milani do të luajë në “San Siro” me Novarën, sfidë e vlefshme për Kupën e Italisë. Por, lamtumira e Abiatit nuk përjashtohet: në merkaton e verës ai mund të marrë vendin e Freit te Fiorentina, në rast se “vjollcët” do të vendosin ta shesin portierin francez.
Në mbrojtje, vetëm Tiago Silva dhe Nesta e kanë vendin të sigurt. Gjeorgjiani Kaladze është i pakënaqur dhe nuk ka ndërmend të qëndrojë si zëvendësues i dy të parëve. Për të mund të interesohet Lioni, që është në kërkim të një mbrojtësi qendre. Skuadra nga Liga 1 franceze nuk do të jetë në gjendje ta aktivizojë lojtarin në fazën e dytë të Ligës së Kampioneve, megjithatë ata janë të gatshëm të blejnë kartonin e plotë të Kaladzes: transferimi mund të konkretizohet brenda një kohe të shkurtër, me ndërmjetësimin e menaxherit të përgjithshëm, Lakomb. Favali do të tërhiqet për shkak të moshës, ndërsa Odo e Jankulovski duhet të tregojnë gjatë muajve të ardhshëm se e meritojnë fanellën kuqezi. Sipas të gjitha gjasave, njëri prej tyre nuk do të jetë më pjesë e skuadrës, edhe sepse Milani pritet që të jetë aktiv në merkato, për të përforcuar repartin difensiv, ku pika më e dobët janë krahët. Bonera është përfundimisht lojtar i Milanit, Astori pritet të kthehet, ndërsa sytë janë kthyer nga francezi me origjinë kongoleze, Mongongu (Monako) dhe nga Gai Demel i Hamburgut, me origjinë nga Bregu i Fildishtë dhe me pasaportë franceze. Në mesfushë, lamtumira mund të jepet nga Flamini, i cili ka gjetur pak hapësira, ndërsa Bekam do të kthehet në SHBA, sipas marrëveshjes. Në fund janë lëvizjet në repartin sulmues: Huntelar mund të përfshihet në negociatat për Edin Xhekon. Për boshnjakun, Milani i ofron Volfsburgut kartonin e holandezit, plus 25 milionë euro. Sipas francezes “L’Equipe”, oferta i është paraqitur klubit gjerman, e tashmë italianët presin përgjigje. Nga “San Siro” pritet të largohet edhe Inzagi, i cili tundohet nga oferta e Parmës.