Ofertë edhe nga Franca
_312967.jpg)
Etrit Berisha është bërë dëshirë e skuadrave evropiane, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me Kalmarin dhe Kombëtaren shqiptare. Pas Bolognas, në adresë të portierit kosovar ka trokitur edhe ekipi francez Evian Thonon Gaillard, i cili është i interesuar për shërbimet e tij që në janar.
Këtë e ka bërë të ditur vetë 23 vjeçari, i cili aktualisht po qëndron për pushime në Kosovë, pasi që kampionati suedez tashmë ka përfunduar dhe nuk nis deri në pranverë.
“Po pres që gjatë këtyre ditëve të ketë diçka të re. Së fundmi kam marrë ofertë nga kampionati francez nga ekipi Evian. Të shohim”, u shpreh Berisha për Express.
Mirëpo, prioritet i tij është kampionati italian, ku e ka në xhep ofertën nga Bologna. Por, pa pasur ende diçka konkrete, ai nuk dëshiron t’i zhvillojë iluzionet.
“Jam duke pritur edhe pak. Menaxheri im është duke biseduar me Bolognan, ndoshta diçka më konkrete do të ketë javën e ardhshme. Ka interesim prej tyre, të shohim se çka do të ndodhë. Sigurisht unë i kam aspiratat më të mëdha për Itali. Një ekip italian do të ishte sukses i mirë për mua, një motivim shtesë po ashtu, ngase është një ligë mjaft e fortë”, vazhdoi ai.
Berisha ka kontratë me Kalmarin edhe një vit, por ai njofton se, sipas të gjitha gjasave, do ta lë ekipin suedez në fillim të vitit të ardhshëm.
“Nuk ma merr mendja që do të rri më në Kalmar, edhe pse kam kontratë edhe një vit. Jam duke e shikuar mundësinë që ta bëj një hap përpara në karrierë”, shtoi portieri prishtinas.
Në fund, Berisha foli edhe për eksperiencën pozitive me Kombëtaren shqiptare, ku u ftua për herë të parë sivjet.
“Jemi duke shkuar mjaft mirë, po ndihem në një formë të shkëlqyer, jam përshtatur me ambientin dhe lojtarët. Unë jam duke e dhënë maksimumin në Kombëtaren shqiptare, edhe pse aty nuk ka asnjëherë garanci”, përfundoi ai. Berisha ishte transferuar në Kalmar në vitin 2008, pasi kishte luajtur më parë me ekipin e të rinjve të 2 Korrikut në Kosovë.