E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficeri i SHISH, plagët në kokë, dyshime për vrasje, makina kishte levizur nga vendi

27/10/2011  Ngjarja ende në mister. Nuk hetonte pronat e gjyqtarit

DURRËS- Dy ditë nga gjetja e trupit të shkrumbuar të oficerit të SHISH-it, kjo ngjarje vazhdon të mbetet tepër misterioze si për opinionin publik që ende s’ka mësuar çka ndodhur në të vërtetë, ashtu edhe për grupin e ekspertëve që është ngritur për të hetuar rrethanat. Fillimisht ende nuk është përcaktuar saktësisht se Isa Çopa, 49 vjeç, ka vrarë veten apo e kanë ekzekutuar. Detaji që lë dyshime për një vrasje të pastër është fakti se oficeri i kundërzbulimit ka pasur fraktura në pjesën e kokës. Këto plagë dyshohet të jenë shenja dhune nga mjete të forta dhe jo nga arma e zjarrit. Ditën e djeshme u zhvillua një takim mes drejtorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj, me disa prokurorë dhe ekspertë të laboratorit kriminalistik. Pas këtij takimi u bë e ditur për mediat se gëzhoja e plumbit që u gjet në makinën e agjentit, i përket armës së tij, pistoletë makarov. Ndërkaq, ekspertët e kriminalistikës bënë me dije se mister mbetet dhe vendi ku është kryer krimi, pasi automjeti i djegur është dërguar më pas në vendin ku u gjet nga policia. Specialistët e Kriminalistikës hetojnë edhe pistën që automjetit mund t’i jetë vënë zjarri për të zhdukur gjurmët. Nga ana tjetër Instituti i Mjekësisë Ligjore po merret me ekzaminimin dhe ekspertizën e trupit të oficerit Çopa, ndërsa një raport përfundimtar pritet të dalë pas dy ditësh. Policia e Durrësit në një deklaratë për mediat bëri të ditur se pista kryesore mbetet ajo e vetëvrasjes, por nuk e përjashtoi edhe vrasjen. Ndërkaq, burime pranë grupit hetimor thanë për gazetën “Metropol” se oficeri nuk kishte asnjë lidhje me verifikimet e pronave të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ai merrej kryesisht me sferën e kundërzbulimit, pra kishte më tepër lidhje me shërbimet e huaja sekrete. Ditën e ngjarjes, Isa Çopa kaloi një ditë normale pune, deri në orën 17:15 minuta të së hënës. Më pas la zyrën e shkoi në shtëpi ku mori një bidon 5 kilësh bosh, për t’u kthyer në zyrë, në godinën e Shërbimit Informativ të Durrësit, ku qëndroi rreth 20 minuta. Dyshohet se mori disa dokumente dhe u nis në drejtim të Currilave, në zonën e quajtur “Plazhi i Gjermanit”, i vetëm me automjetin e tij. Rreth orës 17:50 minuta, nga njëri prej telefonave të tij është dërguar një sms në drejtim të telefonit të të birit 16-vjeçar, ku i thotë “Bëhu i fortë, ji gjithmonë krenar, mbështetu tek nëna jote. Çaje të ardhmen vetë”. Djali e mori menjëherë në telefon, por thirrja është refuzuar dhe më pas telefonat e Çopës janë fikur. Në këtë moment, familjarët janë vënë në lëvizje dhe kanë kërkuar ndihmë në polici. Policia ka nisur gjurmimin e mesazhit telefonik nëpërmjet qelizave të antenave të kompanisë celulare dhe në orën 23:10 të së martës policia mundi të lokalizonte automjetin e shkrumbuar tërësisht dhe brenda tij, në sediljen e pasme oficerin Çopa. Në vendngjarje, policia ka gjetur makinën, kufomën e tij, pistoletën e djegur, dy telefonat e shkrirë, si dhe një gëzhojë.

Dyshimi i ekspertëve

për lëvizjen e makinës

Nga verifikimet e deritanishme nga grupi i ekspertëve të kriminalistikës është bërë me dije se momentalisht mister mbetet dhe vendi ku është kryer krimi. Nga të dhënat e deritanishme mësohet se fillimisht makinës i është vënë zjarri në një vend tjetër dhe më pas automjeti i djegur është dërguar në vendin ku u gjet nga policia. Nga të dhënat që ka grumbulluar grupi i ekspertëve, specialistët e Kriminalistikës po hetojnë edhe mbi dyshimin që automjetit mund t’i jetë vënë zjarri për të zhdukur gjurmët. Këto mbeten ende dyshime të grupit të ekspertëve, të cilët po verifikojnë çdo të dhënë, ndërsa ekspertiza në laborator do të vërtetojë nëse makina është djegur diku tjetër dhe është transportuar.

M. Mullai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›